Nënkryetari i bashkisë Durrës, Florian Tahiri, dha dorëheqjen nga posti një ditë më parë duke paralajmëruar se do të përfshihej në garën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.
Pas publikimit të listës zyrtare të koalicionit të Partisë Demokratike me aleatët “Aleanca për ndryshim”, emri i Tahirit ishte renditur i 10-ti.
Një ditë pas zyrtarizimit si një nga emrat e përfshirë në listën e koalicionit opozitar, Tahiri shpjegon arsyet që e shtynë të japë dorëheqjen.
“Pas 5 vitesh si nënkryetar i Bashkisë Durrës, vendosa të jap dorëheqjen më shumë për arsye morale dhe jo si detyrim, pasi vetëm në rastin kur fiton si kandidat, atëherë është e detyrueshme dorëheqja, por duke qenë pjesë në listat e opozitës, e pashë të udhës këtë lëvizje.” – tha ai.
Tahiri për 5 vite ka mbajtur postin e nënkryetarit të bashkisë Durrës, por duket se ka qenë zgjidhja e Çështjes Kombëtare dhe ajo Çame e cila e ka bërë t’i bashkohet koalicionit opozitar.
“Vendosa të largohem nga bashkia dhe të bashkohem në këtë garë pasi më bindi marrëveshja që PDIU dhe PD kanë bërë në lidhje me zgjidhjen e çështjes Çame me anë të konventave ligjore.”
Pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të qarkut Durrës, nën siglën e koalicionit të Lulzim Bashës, Tahiri është një vlerë e shtuar për qytetarinë durrsake dhe komunitetin çam. Ai është njëkohësisht kryetar i shoqatës “Çamëria” në Durrës.
M.B.





