Floriana Garo prej kohësh është angazhuar dhe në politikë, duke qëndruar në krah të ish-kryeministrit Sali Berisha. Por, ky vendim nuk është përkrahur nga gjithë familja e saj. E konkretisht nga vjehrra.
E ftuar në “S’e luan topi”, zëdhënësja e Berishës ka ardhur me një rrëfim për jetën personale dhe atë profesionale. Ndërsa fliste për përfshirjen e saj në politikë, Floriana ka treguar se është vetofruar për të kontribuar në Partinë Demokratike dhe bashkëshorti ka qenë një mbështetje dhe nxitje e madhe për të.
Mirëpo, ajo nuk tha të njëjtën gjë për vjehrrën, e cila nuk e ka mbështetur në angazhimin e saj politik.
“Po, vjehrra nuk ka qenë mbështetëse. Nuk ka qenë mbështetëse që të mbështesja Sali Berishën si figurë politike. Kemi shumë ndryshime në pikëpamje.
Ajo ka qenë vetë e përfshirë në politikë dhe ne kemi dashur që gjithmonë ta shohim Shqipërinë të realizuar, ajo në mënyrën e saj, unë në mënyrën time, me një dëshirë patriotike, të mirëfilltë, për të kontribuar për vendin tonë dhe për të dhënë këtë model. Por ajo e shikon ndryshe nga unë.”
E pyetur nëse kjo gjë ka krijuar tensione në marrëdhënien nuse-vjehërr, Floriana u përgjigj:
“Po, ka krijuar. Ne kemi një marrëdhënie të hapur me njëra-tjetrën, një marrëdhënie mes shoqesh do thosha, sepse dhe ajo është shumë rinore në pamje, edhe në mendime, edhe në veprime, kështu që ka qenë më shumë fërkim që do ishte mes mikeshave, ku ajo mendon se duhet ta dëgjoj, por në këtë rast nuk e kam dëgjuar.”
Megjithatë, në fund Floriana sqaroi se ajo ka arritur gjithmonë t’i sheshojë tensionet dhe kur e shikon që situata nxehet, i thotë “stop” dhe se nuk do flasin më për këtë gjë.