TIRANE, 04 mars 2013 – Studentja e aksidentuar në Himarë, Florije Peçi, është lejuar të kthehet në banesë pas qëndrimit disajavor në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, ku u mbajt në mjekim pas konstatimit të shtatzënisë.
Sipas burimeve nga spitali, gjendja e 22- vjeçares është përmirësuar dhe nuk paraqet ndonjë anomali apo problem. Një javë më parë, Florije Peçi iu nënshtrua ekzaminimeve gjinekologjike për llogari të Prokurorisë nga ku u konstatua se fëmija i saj është 6 muajsh dhe konceptimi i shtatzënisë ka ndodhur diku mes datave 24 dhe 26 shtator 2012.
Nga ky përfundim i specialistëve të maternitetit, organi i akuzës ka përjashtuar mundësinë që Florije Peçi të ketë mbetur shtatzënë në spitalin ku u mjekua në gjendje kome. Më 19 korrik 2012, studentja ka dalë nga spitali dhe është dërguar në qendrën fizioterapeutike “Gmundnerberg” në Austri. Në këtë qendër Florija është mbajtur deri në datën 11 tetor 2012 kur është kthyer në Shqipëri.
Për rrjedhojë, dyshimet kryesore të Prokurorisë janë se 22-vjeçarja ka mbetur shtatzënë gjatë qëndrimit në qendrën në fjalë.





