Stina e nxehtë dhe pushimet verore kanë rritur numrin e udhëtarëve që mbërrijnë në portin e Durrësit.

Rreth 10 mijë udhëtarë dhe 3021 mjete kanë mbërritur në fundjavë me tragete në port.

Udhëtarët janë kryesisht familje shqiptare dhe kosovarë që jetojnë dhe punojnë në vendet e BE-së dhe zgjedhin gjithmonë t’i kalojnë pushimet verore në atdhe pranë të afërmve të tyre.

Rritja e fluksit të udhëtimeve ka bërë që kompanitë e lundrimit të shtojnë numrin e lundrimeve ditore në Adriatik.

Gjatë dy ditëve të fundjavës janë kryer 10 lundrime mes brigjeve të Adriatikut (5 tragete në ditë), ndërsa në këtë fillim jave kanë mbërritur në port dy tragetet e linjës së Barit dhe një i Ankonës, që kanë sjellë të tjerë udhëtarë dhe mjete përmes vendkalimit kufitar të Durrësit dhe pasdite e në mbrëmje do të lundrojnë në kthim drejt porteve italiane.