Tragetet “Rigel I” dhe “Rigel 3” po mbërrijnë aktualisht në portin e Durrësit (e hënë ora 10:30), ndërsa “AF Francesca” pritet të ankorohet rreth orës 13:00.
Sipas njoftimit zyrtar të APD-së, bëhet me dije se vonesat e trageteve që duhet të ankoroheshin në orën 8:00 në Durrës janë krijuar në portin e Barit, për shkak të numrit të madh të udhëtarëve që po nisen këto ditë për të festuar pranë familjeve të tyre në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.
Çdo ditë në linjën Bari – Durrës dhe kthim lundrojnë 5-6 tragete, një numër dy herë më i lartë se sa në ditë normale.
Vetëm ditën e shtunë dhe të diel, 3 nga 6 tragetet kanë sjellë në Durrës 6.700 udhëtarë dhe 1.400 automjete gjithsej.