Mbi 12 mijë persona kanë mbërritur këtë fundjavë në portin e Durrësit, duke shënuar edhe pikun e mbërritjeve së emigrantëve në vend.

Teksa jemi në prag të festave të fundvitit, një numër i lartë udhëtarësh zgjedhin transportin detar për të mbërritur në vend për të festuar me të afërmit e tyre.

Nga të dhënat zyrtare portuale, “DurrësLajm” mëson se 6 tragete kanë sjellë 8184 pasagjerë, 2 prej të cilëve mbrëmjen e së shtunës dhe 4 kanë mbërritur mëngjesin e kësaj të diele (5 nga Bari dhe 1 nga Ankona). Gjithashtu është regjistruar një numër i lartë edhe i automjeteve në hyrje, konkretisht 1395 mjete.

Ndërkaq, dje në mëngjes kanë mbërritur tre tragete me 3979 pasagjerë, teksa dy tragete të tjerë priten të mbërrijnë sonte në darkë.

Pritet të ketë fluks edhe në datat 27, 28 dhe 29 dhjetor, ndaj autoritetet si Kapitaneria, Policia Kufitare, APD dhe Dogana kanë marrë masa për rritjen e sigurisë dhe shtimin e sporteleve për të mos krijuar vonesa të udhëtarëve.