15 ditëshi i dytë i muajit korrik, i karakterizuar deri më tani nga temperatura të larta, ka rritur ndjeshëm numrin e pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Urgjencën e Spitalit të Durrësit. Por piku i vizitave nuk është arritur ende.
“Numri i vizitave shkon nga 250 në 300 vizita në 24 orë. Ne presim një tjetër rritje të numrit të vizitave, duke u bazuar tek eksperienca e viteve të kaluara. Nëse tani kemi rreth 300 vizita në ditë, parashikojmë të shkojnë në 450-500 vizita në 24 orë”, thotë për “DurrësLajm”, shefi i Urgjencës Gjergj Qerimi.
Për të përballuar me sukses fluksin e vizitave në urgjencë, i gjithë stafi i bluzave të bardha është në gatishmëri të plotë deri më 15 shtator.
“Asnjë nga stafi jonë nuk do të marrë leje të zakonshme”,- bën të ditur shefi i Urgjencës.
Durrësi, ashtu si e gjithë Shqipëria dhe Evropa, po përballet ditët e fundit me temperatura rekord, për shkak të valës së të nxehtit, e cila ka marrë emrin e përbindëshit mitik, Cerberus, i cili thuhej se ruante portat e Ferrit.
Temperaturat mbi 40 gradë parashikohet të zgjasin dhe disa ditë, duke përbërë kështu rrezik jo vetëm për moshën e tretë apo fëmijët e vegjël, por edhe grupmoshat e tjera.
“Përgjithësisht kemi raste të pacientëve me komplikacione të sëmundjeve kronike, me probleme me tensionin, çrregullime të diabetit. Kemi gjithashtu intoksikacione për shkak të temperaturave të larta dhe gastroenterite nga mosrepektimi i higjienës dhe mbajtjes së ushqimeve në kushte frigoriferike”,- thotë mjeku Qerimi.
Sipas shefit të Urgjencës, një pjesë e konsiderueshme e rasteve urgjente që kërkojnë ndihmën e bluzave të bardha përballohen nga stafi mjekësor i 4 Qendrave Shëndetësore Verore duke evituar kështu dyndjen e pacientëve në urgjencën spitalore.
M.B.





