200 pacientë të vegjël në ditë kërkojnë ndihmën e bluzave të bardha në urgjencën pediatrike në Durrës. Po kaq fëmijë të tjerë i drejtohen mjekut të familjes, duke bërë që situata të arrijë pikun në muajt e ftohtë të dimrit, janar – shkurt.

Situata virale ja ka lënë vendin situatës gripale në Durrës, e më të prekur janë fëmijët e të gjthë moshave. Ky grip është paraqitur me temperaturë shumë të lartë deri në 41 gradë, duke vënë në alarm të gjithë prindërit e fëmijëve kryesisht atyre latantë, të cilët rrezikojnë më shumë nga situatat e komplikuar.

Mjekja pediatre Xhevi Shkreli tha se përveç temperaturës së lartë, ky grip vjen edhe me simptoma të tjera si kollë e dhimbje veshi duke i kaluar fëmijët në bronshit e në bronkopneumoni në 80 % të rasteve.

Mjekja thotë se nënat duhet të kenë kujdes fëmijët, pasi ky virus gripi është ngjitës dhe vazhdon për disa ditë.

“Një kujdes të veçantë nënat duhet t’i kushtojnë temperaturës së lartë. Duhet të menaxhojnë temperaturën me preparate e të mos e lënë fëmijën me temperaturë e më pas të paraqiten në urgjencë për të marrë mjekim” – thotë pediatrja Shkreli.

Këtë vit, virusi i gripit është shoqëruar tek fëmijët me bajame të qelbëzuara dhe për këtë shkak, sëmundja është përsëritur disa herë.

K.H.