18 shtator 2013- Duket se edhe mirësjellja po përjeton periudhën e krizës. Të paktën në Vlorë, ku shumë qytetarë e dëshirojnë kortezinë, po aq sa edhe një vend pune. Ndodhemi në zyrën e deputetit Edi Rama, që ndodhet në katin e dytë të të ashtuquajturave “Kullat”, në hyrje të Skelës, në Vlorë. Më saktë, te dera e zyrës, pasi media nuk lejohet të kalojë pragun. Në korridorin e ngushtë ndodhen tri karrige, ku qytetarët mund të ulen në pritje për t’u takuar me njërin nga menaxherët që ka vendosur Rama për të administruar zyrën, një djalë dhe dy vajza. Megjithatë, karriget s’duken të nevojshme, pasi takimet janë të paracaktuara me telefon ose e-mail; një organizim i mirë që nuk lejon krijimin e radhës për qytetarët. Ata nuk lihen të presin më shumë sesa 5 minuta, kohë e mjaftueshme kjo për të zhvilluar biseda të ndryshme për arsyen e vizitave në zyrën e Kryeministrit-deputet… 
DUAM PUNË! 
Është 10:30 e paradites të së premtes, 13 shtator. Zyra është hapur që në orën 09:00 dhe do të mbyllet në orën 14:00. Almira Hajrullai shfaqet e dyzuar, të trokasë apo jo në zyrën e Ramës. E ëma e nxit dhe i thotë që ta provojë dhe të flasë me menaxherët, ndërsa vajza e saj rreth 5-6 vjeçe e Almirës i lutet që të ikin andej. “Mua më hoqën nga puna para dy vitesh pse jemi si familje e majtë. Tani mua më vjen zor që t’u kërkoj të rikthehem në detyrë, pasi Rama e tha qartë që kjo nuk është zyrë pune”, na thotë Almira, me profesion infermiere. E ëma e saj nuk e lë të flasë gjatë, por shtyn derën e zyrës. Brenda janë 3 qytetarë të tjerë që po regjistrojnë ankesat, ndaj menaxherët i kërkojnë që ta mbyllë derën, deri në lirimin e njërit prej tyre. Almira e tërheq prej krahësh si me ndjenjë faji dhe merr rrugën e kthimit duke zbritur shkallët, por nëna e saj i thotë që do të flasë ajo për të bijën. “Pikë e zezë, nuk është e zonja të kërkojë atë që i takon”, ankohet e ëma e Almirës, ndërsa kundërshtohet nga një tjetër vizitore. 

“E para, paska sedër ajo vajzë, mos i bjer më qafë! E dyta, mos u fut ashtu te dera se ne të tjerët kemi lënë takim dhe ka radhë këtu”, thotë gruaja rreth të 50- ave me emrin Shpresa, agronome me përvojë, ish-zyrtare në Komisionin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në rrethin e Vlorës. Pavarësisht përvojës profesionale, edhe Shpresa kishte rreth 3 vite si e papunë. Kishte fituar gjyqin për shkarkim të padrejtë dhe vendimin për kthimin në vendin e punës, por sërish nuk ka mundur të riemërohet. 

“Gjatë këtyre 3 viteve kam punuar në kompani private, por unë dua të rikthehem në shtet, sepse aty kam investuar që kur kam mbaruar universitetin dhe më pas jam diplomuar me dy mastera. Aktualisht po bëj doktoraturën”, shprehet Shpresa. E pyetur se për çfarë do të ankohet në zyrën e Ramës, ajo përgjigjet: “Do të ankohem për të gjitha padrejtësitë që më kanë bërë deri më sot. Mbase Rama nuk do të më rikthejë dot në punë, por të paktën të nisin hetimet për zëvendësuesit e mi, pasi janë me diploma false”. “Sigurisht që do të këmbëngul edhe për rikthimin tim në punë aty ku isha, ëëë”, shton Shpresa. 

“Po të gjithë për punë kemi ardhur”, ndërhyn edhe një herë e ëma e Almirës,
e cila rri në këmbë gjatë gjithë kohës dhe që mund ta ngatërrosh lehtësisht me
rojën e zyrës. Në bisedë përfshihet edhe një burrë, i treti në radhë, i ulur në karrigen e korridorit. Është rreth të 80- ave, ndaj rrëfimi i tij, se edhe
ai për punë kishte ardhur, ngjante mjaft çuditshëm. “Jo për vete, jo, por për nipin”, nxiton të shpjegojë i moshuari, pasi sheh fytyrat tona të
çuditura. Ai tregon se nipi i tij në emigracion ka përfunduar universitetin në Itali, në degën Inxhinieri Elektronike dhe se ka dëshirë të kthehet të punojë në Vlorë. “Nipi nuk vjen dot vetë tani se ishte gjatë verës dhe i kushton
udhëtimi, ndaj thashë ta provoj të kërkoj unë punën për atë. I takon, se është shumë i zoti në profesion. Për zgjedhjet e 23 qershorit erdhi me lekët e veta nga Italia dhe ia dha votën Ramës, se ka besim që vetëm ai do të bëjë diçka për Shqipërinë dhe Vlorën”, thotë 80-vjeçari, ndërsa vijon të lavdërojë Ramën, derisa menaxherët e thërrasin për takim brenda në zyrë. 

/panorama/