Ditët e para të vitit të ri 2022 kanë shënuar një fluks turistësh në qytetin e Durrësit. Duke përfituar nga ditët e pushimit dhe moti i mirë i këtij fillim janari, qytetarët i janë drejtuar strukturave hoteliere përgjatë vijës bregdetare.

Menaxheri i hotel “Palace”, Flavio Farruku tregon për “DurrësLajm” se këto ditë kanë qenë mjaft të ngarkuara për shkak të fluksit të pushuesve, kryesisht vendas, pasi masat anti covid kanë penalizuar lëvizjen e turistëve të huaj.

“Për shkak të ditëve të pakta të pushimeve zyrtare, kohëzgjatja e qëndrimit në hotel ka zgjatur 2-3 ditë” – thotë Farruku.

Frekuentimi i strukturave hoteliere gjatë këtij fillim viti mund të jetë një ogur i mirë për sezonin e ardhshëm turistik. Duket se fluksi i turistëve nuk është përqendruar vetëm gjatë sezonit veror, por Durrësi tërheq pushues në çdo stinë të vitit.

“Kemi pasur pushues edhe në muajt tetor e nëntor. Durrësi është shumë i preferuar nga turistët”,- deklaron Farruku.

Ekonomia e qytetit bregdetar dhe bizneseve varet në një masë të madhe nga ecuria e sezonit turistik. Vitet e fundit është folur nga autoritetet vendore dhe Ministria e Turizmit për ta shtrirë sezonin turistik përgjatë gjithë vitit, duke shfrytëzuar turizmin kulturor si një resurs potencial për Durrësin që ka një numër mjaft të konsiderueshëm sitesh arkeologjike dhe historike. Por pavarësisht këtyre politikave, një pjesë e të cilave kanë mbetur ende në letër, Durrësi mbetet qyteti me fluksin më të madh të turistëve vetëm përgjatë 3 muajve të verës.   

M.B.