Fluks vizitoresh në sitet historike dhe arkeologjike te Durrësit. Kulla Veneciane dhe Amfiteatri janë ndër monumentet më të vizituara, por turistë të organizuar në grupe, apo në vizita individuale sheh në çdo orë të ditës pranë Forumit Bizantin, Mureve Rrethuese etj.
“Në 3 muajt e parë të këtij viti Kulla veneciane ka 926 vizitorë, ndërsa Amfiteatri i Durrësit, në periudhën janar-mars 2026 ka regjistruar 2008 vizitorë”,– bën të ditur Ina Ajazi, specialiste e Qendrës Muzeore, ndërsa nënzivon gjithashtu se vizitorët janë kryesisht nga vende si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Izraeli etj.
I reklamuar nga mediat e specializuara në sektorin e turizmit si një nga top destinacionet për t’u vizituar në Evropë, Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë të gjitha tipologjitë e turistëve.
Duke nisur nga moshat e reja e deri tek pensionistët, vendi ynë tërheq kureshtarët jo vetëm për bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore, kulinarinë, etj, por edhe për shërbimet, siç është turizmi dentar, të cilin italianët e kanë zbuluar vitet e fundit.
“Po kaloj shumë mirë këtu. Më duket sikur jam në shtëpinë time, në Pulia. Jam këtu jo vetëm për të parë vendin tuaj, por edhe për të përfituar nga shërbimi dentar që ju ofroni”.
“Këtu tek ju kemi parë disa muze, vizituam Tiranën. Këtu tek ju më pëlqen që jeni shumë miqësorë, shumë të hapur. Familja ime ishte në Shqipëri pak vite më parë dhe e pëlqeu shumë vendin tuaj. Kështu që vendosëm të vijmë”.
“Kam mësuar shumë për historinë dhe kulturën e vendit tuaj, për të cilin nuk dija asgjë më parë. Por njëkohësisht vendi juaj është shumë i bukur. Çmimet janë shumë të mira, po t’i krahasosh me Gjermaninë”.
“Unë vij nga Rusia, këtu tek ju është shumë më ngrohtë. Ju jeni shumë miqësore dhe unë ndihem e sigurt në vendin tuaj. Kemi pak a shumë dhe histori të përbashkët, sepse na bashkon epoka sovjetike”.
“Jemi nga Franca. Kemi bërë një tur nëpër Shqipëri, ishim edhe në jug. Është hera e parë që vijmë dhe nuk kisha menduar se Shqipëria është kaq e bukur. Do t’ju bëj shumë publicitet të mirë kur të kthehem në vendin tim”.
Lufta në Lindjen e Mesme mund të përkthehet këtë verë për Shqipërinë në një boom turistik.
“Ju keni bërë hapa gjigandë përpara. Jeni një popull që po ecën përpara, keni mësuar edhe nga ne. Unë jam operator turistik në vendin tim. Aktualisht në Itali ka pak destinacione për pushime, prandaj vendi juaj mund të shërbejë si një opsion mjaft i mirë për bashkëatdhetarët e mi”,- thotë një operator turistik nga vendi fqinjë.
Gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, 92,918 vizitorë vendas dhe të huaj vizituan institucionet dhe qendrat tona kulturore, një rritje prej +81% krahasuar me vitin 2023 bëri të ditur sot Ministria e Turizmit dhe Kulturës.
M.B.





