Ministria greke e Mbrojtjes ka deklaruar se situata me refugjatët po merr dimensionet e një krize kombëtare.
Qeveria në fundjavë u detyrua të zhvendosë brenda vendit rreth 350 emigrantë nga ishujt pranë Egjeut, pasi kapacitetet e kampeve atje janë tejkaluar disafish. Qindra të tjerë planifikohet të transportohen në Pire gjatë së hënës., ndërsa në mbarë vendin numri i të zhvendosurve do të arrijë deri 10 mijë.
Fluksi i refugjatëve që strehohen në ishujt grekë të Lesbosit, Kiosit, Samosit, Lerosit dhe Kosit është rritur progresivisht në gati 30 mijë në muajin gusht. Autoritetet deklarojnë se vështirësi po has edhe përpunimi i kërkesave për azil pasi mungon personeli.
Nga radhët e refugjatëve, kriza ka prekur veçanërisht të miturit, numri i të cilëve arrin mbi 4,300 kur strukturat akomoduese garantohen për vetëm 1,900.
Për këtë shkak, në Greqi refugjatët minorenë të pashoqëruar shpesh përfundojnë në institucione rehabilitimi ose nëpër spitale për periudha përtej atyre të parashikuara në ligj.
Jeta në kampe mbetet e rrezikuar qoftë nga konfliktet e çastit mes refugjatëve, apo nga kushtet higjieno-sanitare dhe rëndesat psikologjike. Me një krizë humanitare po kaq të thellë përballet edhe Turqia.
Së fundmi, Ankaraja zyrtare ka rritur presionin mbi Bashkimin Europian duke kërcënuar se kontingjenti i vet prej 4 milionë refugjatësh do të lëshohet pjesërisht në Europë nëse nuk përmbushen zotimet financiare të dakordësuara mes dy partnerëve në mars të vitit 2016.