Masat që po merren në kuadër të fluksit të pritshëm të udhëtarëve dhe automjeteve me tragete në prag të sezonit veror ishin temat që u diskutuan në takimin e organizuar në mjediset e Atoritetit Portual Durrës.

Së bashku me Drejtorin e përgjithshëm ekzekutiv të APD, Afrim Bakaj, në takimin që u drejtua nga Prefekti i qarkut, Roland Nasto, morën pjesë edhe drejtoresha e Policisë së kufirit dhe migracionit, Lindita Nushi, drejtori i Doganës Durrës, Agron Lamaj, si dhe përfaqësues nga kompanitë koncesionare, nga agjencitë e lundrimit, si dhe doganës e policisë së kufirit.

Gjatë takimit operatoret privatë bënë një sërë kërkesash në lidhje me lehtësimin e trafikut që krijohet nga fluksi i madh i udhëtarëve dhe automjeteve gjatë periudhës korrik-gusht në terminalin e trageteve.

Drejtuesit e APD, doganës dhe policisë së kufirit propozuan zgjidhje dhe masa konkrete për situatën, si shtimi i sipërfaqes për parkimin e kamionëve, disiplinimi i trafikut, shtimi i forcave të FSPD, etj.