31 korrik 2015 – Sezoni turistik në qytetin e Durrësit shoqërohet me rritje të ndjeshme të ngarkesës në qarkullimin rrugor, kjo për shkak të pushuesve të shumtë si dhe ardhjes së emigrantëve që vijnë në periudhën e verës për të kaluar pushimet pranë familjeve të tyre.
Me trafikun e rënduar përballen çdo ditë në terren efektivët e Policisë Rrugore, tek të cilët rritet ndjeshëm përgjegjesia dhe ngarkesa e punës. Të gjitha akset kryesore rrugore mbulohen me shërbime nga ana e policisë rrugore dhe ajo e rendit.
Shefi i seksionit të policisë rrugore në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, Komisar Blerim Laçi, në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Dyrrah”, flet për punën në këtë periudhë dhe masat e marra në sektorin që ai drejton.
Në këtë periudhë sezoni, Durrësi përballet me një ngarkesë në rritje në qarkullimin rrugor, ku sidomos në fundjavë fluksi në qarkullim arrin kulmin. Çfarë masash keni marrë për përballimin e kësaj situate në qarkullimin rrugor?
Për sezonin turistik është hartuar një plan i detajuar masash në çdo sektor të Policisë së Shtetit. Realisht përballemi me një ngarkesë të madhe pune, por me masat e marra gjithçka e kemi përballuar pa probleme. Sigurisht në fundjavë fluksi i qarkullimit të mjeteve arrin kulmin. Për këtë, në disa akse rrugore kemi rritur prezencën e efektivëve duke përforcuar shërbimet sidomos në akset rrugore me destinacion plazhet ku dhe ngarkesa në fundjavë rritet ndjeshëm. Për përballimin e kësaj periudhe pranë sektorit të policisë rrugore janë komanduar katër efektivë të policisë së rendit, këtyre forcave i bashkohet dhe një motor nga Tirana. Policia rrugore ka nën monitorim të gjitha akset rrugore në qytet dhe dalje të tij. Mund të them se këtë situatë trafikun e kemi përballuar me sukses.
Cilat janë akset rrugore me fluksin më të madh në qarkullim?
Aksi rrugor më i ngarkuar dhe më problematik për ne është rruga dytësore Plepa – Golem ku sidomos në fundjavë kemi një fluks të jashtëzakonshëm qarkullimi, dhe për këtë kemi rritur ndjeshëm prezencën e efektivëve të policisë rrugore. Rruga është mjaft e ngushtë dhe nuk e përballon dot një fluks të tillë. Por veç kësaj problematike, këtu hasim dhe një tjetër problem që lidhet me kazanët e mbeturinave të vendosura në anë të rrugës, ku devijimi i lehtë i mjeteve në pjesët e rrugës ku janë vendosur kazanët nuk lejon më një qarkullim normal. Edhe te rotonda e Plepave, ngarkesa në qarkullim është mjaft e madhe gjatë gjithë kohës, kjo dhe për shkak të lëvizjes së mjeteve nga drejtime të ndryshme
Në orare të caktuara kryesisht në mbrëmje, problematike për ne mbetet dhe rruga “Taulantia”, edhe pse aty kemi prezencë të shtuar të policisë rrugore. Fluksi i madh i këmbësorëve sjell kaos në trafik, pasi policia rrugore është e detyruar herë pas here të ndalë qarkullimin e mjeteve për t’u lënë rrugë kalimi këmbësorëve. Kjo kërkon një rrugëzgjidhje me mbikalim të këmbësorëve apo me zgjidhje të tjera alternative.
Vitin e kaluar keni pasur një bashkëpunim me policinë e Kosovës me shërbime të përbashkëta në shumë akse rrugore. A vazhdon ky bashkëpunim?
Po, ky bashkëpunim me shërbime të përbashkëta vazhdon. Ka një marrëveshje bashkëpunimi midis policisë shqiptare dhe asaj kosovare. Në Durrës është një patrullë e policisë së Kosovës, e cila me mjetin e tyre është prezent në disa akse rrugore me shërbime të përbashkëta me policinë rrugore.
Sa efekt ka dhënë aplikimi i masave shtrënguese në zbatimin e rregullores së qarkullimit rrugor?
Zbatimi i paketës së re të masave shtrënguese ka dhënë efektet e veta duke reflektuar në uljen e numrit të shkeljeve. Jemi të vendosur në zbatimin rigoroz të rregullores së qarkullimit rrugor, vetëm gjatë dy fundjavave të këtij muaji janë pezulluar 15 leje drejtimi për shkelje të ndryshme si dhe janë arrestuar dy drejtues mjetesh pasi drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit.
Dhe së fundi, në cilësinë e shefit të seksionit të qarkullimit rrugor, cili është apeli juaj për përdoruesit e rrugës, qofshin këta drejtues mjetesh apo këmbësorë?
Policia rrugore është e vendosur në zbatimin rigoroz te ligjit, dhe në këtë pikë toleranca është zero. U bëj thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të shmangin konsumin e pijeve alkoolike gjatë drejtimit të mjetit dhe të jenë korrekt në zbatimin e rregullores së qarkullimit rrugor.
Nga ana tjetër edhe këmbësorët si përdorues të rrugës duhet të njohin mirë dhe zbatojnë me korrektesë rregulloren e qarkullimit rrugor, për të shmangur aksidentet e mundshme.
Intervistoi: Monad Fama
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





