A është ky Atdheu që meritojmë? Kjo është pyetja që personazhet e romanit të Flutura Açkës "Kukullat nuk kanë atdhe", do t'ia përsërisin shpesh vetes dhe të tjerëve. 

Ngjarja nis në kryeqytetin shqiptar, kur një mesnatë, një grua që ia ka kushtuar gjithë jetën kukullave, vendos t'i nxjerrë krijesat e saj në jetën reale, t'u japë frymë, t'i bëjë pjesë të botës së gjallë. Në jetën e re, ato janë një grup grash dhe vajzash – nëna, bashkëshorte, bija, motra, të dashura, dashnore, toy girls – të cilave do t'u duhet të luftojnë ta krijojnë dhe ta ruajnë identitetin, sepse komunitetit ku ato jetojnë, në të shumtën e herës, nuk i intereson të dijë kush janë ato, çfarë ndiejnë, çfarë dëshirojnë dhe çfarë janë të zonjat të bëjnë. 
Kush janë kukullat e Fluturës? "Është një term i përgjithshëm, por kukullat janë gra. Janë pa emra, iu kam vënë numra. Secili prej nesh në momente të ndryshme, ndihet vetëm një kukull e keqpërdorur, pavlerë, që i ndërrohet vendi. E kam përdorur edhe si simbolikë", shton ajo, ndërsa lë të kuptohet se kjo gjë e ka prekur jo pak. E ka luajtur prej kohësh në mendje, gjersa vendosi ta ndajë shqetësimin me njerëzit e librit. 

Po a janë këto femra në karrierë, shtëpiake, të mbyllura?

Ato mund të jenë kushdo, secili prej nesh që është shqiptar. Për Açkën, janë ekskluzivisht femra shqiptare, të përditshmet që ne takojmë. Ajo rreket të mësojë se si pozicionohet kjo kukull, në shoqërinë tonë. Kur e pyet nëse ka të bëjë me rolin dytësor të saj, Flutura pohon me bindje. "Është një nga rrafshet e librit. Sa kemi marrë nga e shkuara dhe sa shohim nga e ardhmja, çfarë pret femra shqiptare nga kjo shoqëri? Mendoj se është aq e vetmuar, sa përpjekja e saj është vetëm personale", konstaton shkrimtarja. 

Shqetësimi i saj është: A do ta krijojmë ne atmosferën, e ti japim ajër të mjaftueshëm femrës shqiptare që të marrë frymë lirisht? 

Kur e pyet se çfarë e ka nxitur t'i dedikojë kësaj gjinie një roman, ajo thotë se në subkoshiencën e saj, kanë ndikuar shumë edhe ngjarjet e vitit të kaluar, kur krimet më të mëdha u shënuan ndaj gjinisë së dobët. 

Por cytja nuk ka qenë aq shumë nga një ngjarje e caktuar se sa nga pyetja, ku jemi e ku do shkojmë? "A e pranon kjo shoqëri rolin e femrës, apo i sheh vetëm si numra, siç unë i kam vënë në roman. A është e gatshme shoqëria jonë t'i pranojë femrat përtej fytyrës, përtej seksit, ta shohë si të barabartë?", ngulmon ajo. Me sytë që i enden herë-herë në mugëtirën matanë xhamit të kafenesë së ngrohtë, Flutura duket se e kërkon përgjigjen prej andej. 

Kukullat e saj, janë ajo që shihet e ndjehet nga secila prej nesh përditë. I janë dashur më shumë se dy vite punë për t'i dhënë formë e jetë romanit me një kopertinë që të ysht të mendosh, hej, kush jemi. "E kam shkruar më së shumti në Holandë. Andej mundem të jem më realiste", thotë ajo, duke këmbëngulur se kështu do të ishte dhe më e ftohtë. 

A përdoret femra si kukull prej meshkujve, apo e lejon veten të jetë e tillë?

Mbase kjo është pyetja që duhet t'i përgjigjemi në krye, sa pa e hedhur fajin përballë. 

A mos duhet kërkuar zanafilla në bërthamën e familjes ku femra edukohet jo më larg se prej së ëmës (tjetër femër kjo), për të qenë e përulur, para një krijese kaq 'madhështore', kaq të 'rrallë', kaq ndryshe prej saj si mashkulli? Pra, a i edukojmë ne femrat për t'u bërë kukullat e Fluturës? 

"Nuk është vetëm në kuptimin fotografik çështja, ka më shumë këndvështrime. Fillon tek mënyra se si ti e vendos veten përballë tjetrit, shoqërisë, familjes. Po, shpeshherë nënat na kanë mësuar që të pranojmë burrat. Fillon që nga familja sigurisht. Edhe burrave iu mësohet që të të shohin si kukull. Çështja është sa do të vazhdojë kjo?", pyet më kot, ajo. Unë nuk mundem t'i jap një përgjigje. Kam menduar gjithnjë se një vend, ku banorët ende mendojnë se si të mbijetojnë, nuk mund të kujdesen për mënyrat e jetesës: Se një vend që lufton ende për të siguruar bukën, nuk mundet që njëherazi me të të ushqehet me respektin për tjetrin. 
Flutura ngulmon në pyetjen se kur do të vijë baraspesha mes lodrës dhe atij që ajo ka përballë. 

Për Açkën gruaja jonë është e detyruar të bëjë patjetër atë që i thotë tjetri, edhe sikur ky ta ketë gabim. 

Koncepti i kukullës sipas saj ka të bëjë edhe me eksponentë të politikës shqiptare. "Ata, jo vetëm për mua, por edhe për sytë e publikut shqiptar, janë vetëm kukulla. Nuk kanë asgjë, veç pushtetit e parasë. Sjellja më e shpeshtë e tyre është sjellje prej kukullash", thotë krejt natyrshëm, pa asnjë grimasë mbi fytyrë. Ç'ti thuash? Ka të drejtë! Apo jo? Mbase. 

Më tej, edhe vetë ajo pranon se ka pasur raste që është ndjerë si kjo kukulla që kaq fort s'e do, dhe e shtyn larg prej vetes, mbase pa mundur ta degdisë humburazi përfundimisht. "Ka ndodhur shumë rrallë, por kam arritur ta kapërcej", pohon duke pëshpëritur se në trojet shqiptare të sjellurit pa mirësjellje është kaq e vjetër, sa tingëllon në mos është vërtetë, kanunore. E në fakt, është kanunore, buron prej kanunit, e meqenëse kanuni buron prej rregullave që zbatoheshin para tij të pashkruara, së këndejmi del të jetë edhe më e vjetër se vetë kanuni e se Lek Dukagjini. 

Hajt, t'ia gjesh rrënjët këtij mallkimi shqiptar, që u trashëgoka brez pas brezi, ndër kaq shumë shekuj, kaq shumë sa edhe trojet i humbëm, por jo mallkimin mbi ne! 

Me shumë gjasa, kjo hershmëri e ka ligjëruar aq shumë, sa vjen me ajrin që na mbush mushkëritë, çdo ditë teksa jetojmë e kalojmë nga minuti paraardhës në atë pasardhës. Kaq natyrshëm! 

"Problemi fillon tek ne vetë, ai që kemi përballë, është partneri ynë, jo burri, është shoku ynë më i mirë. Mos e shih atë përballë si babain, por si njeriun me të cilin komunikon për tu marrë vesh", vëren ajo, duke na ftuar të lexojmë "kukullat pa atdhe". 
Aty, ku femrat e të gjitha shqetësimeve, që janë nëna, bashkëshorte, të dashura, shoqëruese mbrëmjesh; jeta familjare e ajo dashurore ndërthuren në vepër, mpleksen keqazi për të formuar një tablo ku secili ka vendin e vet, e ku të gjitha janë pa vend, sepse enden në kërkim… 

Romani i saj mbështetet mbi realitetin e femrës shqiptare dhe përcillet mes dramës e satirës. 

Në kaosin e kësaj shoqërie në tranzicion e sipër, ku ato përpiqen të ndërtojnë jetën (në hullinë e një demokracie të cenuar hapur nga korrupsioni, nga ndotja morale dhe nga padrejtësia, por që po barabitet të konturohet me ngjyra evropiane), fijet e jetës se karaktereve të këtij romani, burra e gra, do të lidhen për të përshkuar fatin dhe fatalitetin e tyre me të gjitha detajet, pikërisht mu aty, në zemër të këtij Atdheu, aty ku drejton politika, ku ndërtohen opinionet, ku vendoset fati i shqiptarëve të shekullit të ri. "Kukullat nuk kanë Atdhe", është një roman për familjen, për dashurinë, për lirinë e të menduarit, për lirinë e medias, për lirinë e seksit, dhe mbi të gjitha, për të drejtën e jetës, të vënë në dyshim shpesh në kohë të turbullta morale e politike. Atdheu, në arkitekturën e një rrëfimi satirik dhe dramatik, vjen real dhe i patjetërsueshëm