Durrës, 2 tetor 2014 – Pas daljes nga tregu i fluturimeve ajrore të monopolit politik “ Bell Air”, fatmirësisht monopoli i vjetër nuk u zëvendësua nga një monopol mavi i së majtës në pushtet. Në tregun e fluturimeve ajrore shqiptare vecanërisht me Italinë po përjetohet një konkurencë e shëndetshme vecanërisht përsa i përket linjave ajrore të ashtuquajtura me kosto të ulët. Si rrjedhojë e kësaj konkurence kemi një rënie të konsiderueshme të cmimeve të biletave sidomos me Italinë.

Blue Express, që është filiali me kosto të ulët i linjës ajrore Blue Panorama për të kapur tregun shqiptar vecanërisht atë segment të konsumatorëve jo të pasur ka ulur cmimin në 39 euro vajtje ardhje për 9 destinacione në Itali. Synohet që edhe një pensionist i varfër të shkojë e të vijë në Itali si zotëri me avion me koston e gjysmës së një pensioni mujor mesatar. Nga 7 tetori deri 21 dhjetor kjo linjë për udhëtimet vajtje ardhje nga Rinasi drejt aeroporteve italiane do të ofrojë një promocion shitje biletash me  vetëm 39 euro. Në këtë cmim përfshihen edhe taksat, pra gjithshka.

Destinacionet me një cmim të tillë janë nga Rinasi për në Milano (Malpensa), për Milano (Bergamo), për Venezia, Verona,Bolonja, Ankona, Piza, Gjenovë dhe Romë (Fiumicino).

/Gj.Th Agjencia e Lajmeve Dyrrah/