Dy avionë gjuajtës që fluturonin ulët mbi një zonë rurale në jug të Francës kanë këputur linjat eklektrike dhe ndërprerë energjinë në fshatin Le Castellet, pranë Manosque.
Dy gjuajtësit ishin ngritur nga baza ajrore aty pranë dhe po bënin fluturime stërvitore në lartësi të ulët, raportonin mediat vendase. Një hetim është hapur mbi incidentin e cilësuar si “të rrallë”.
“Ishte duke fluturuar aq ulët sa bëri një zhurmë të tmerrshme, kur ngrita kokën pashë edhe avionin e dytë,” tha kryebashkiaku i fshatit, për rrjetin vendas France Bleu.
Benoît Gouin tha se ishte duke drejtuar makinën e tij kur pa avionët, ndërsa më tej gjeti kabllot elektrike të varura përtokë. “Një nga avionët kishte goditur dhe prerë linjat elektrike. Menjëherë mora në telefon emergjencën dhe kompaninë energjitike Enedis”.
Rënia e kabllove shkaktoi gjithashtu një zjarr që u vu shpejt nën kontroll. Autoritetet thanë më pas se nuk pati të lënduar nga incidenti dhe avionët ishin ulur normalisht në bazën e tyre ajrore.





