TIRANE, 15 shkurt 2013 – FMN dhe Banka Botërore kanë deklaruar përmes një raporti se borxhi publik në Shqipëri ka arritur në nivelin mbi 60% të GDB-së, i cili është nga më të lartët në Evropën Juglindore.

“Sot, borxhi publik në nivelin mbi 60 për qind të PBB është nga më të lartët në Evropën Juglindore (EJL) dhe amortizatorët fiskalë kryesisht janë konsumuar (megjithëse rritja në borxhin e Shqipërisë gjatë viteve të krizës globale ka qenë më e ulët se në vendet e tjera të EJL).”

“Pasiguria në sektorin e energjisë dhe disa borxhe në punët publike i janë shtuar barrës fiskale meqenëse ato do të kërkonin shpenzime të sektorit publik në të ardhmen.”

“Veç kësaj, borxhi publik i Shqipërisë, një pjesë e madhe e së cilës është i brendshëm, ka një komponent të konsiderueshëm afatshkurtër, që nënkupton riskun e rifinancimit”, thuhej në raport. 

Në një tryezë të rrumbullakët, ekspertët e FMN-së dhe Bankës Botërore vlerësuan se në këtë moment është mjaft e nevojshme që të ndërmerren masa të prekshme, të cilat përforcojnë politikën fiskale, për t’i dhënë tregjeve sinjale pozitive.

“Një objektiv i besueshëm i borxhit dhe konsolidim fiskal i vazhdueshëm, por gradual afatmesëm, do të jepte një sinjal të mirë të angazhimit të qeverisë ndaj qëndrueshmërisë së borxhit.”

“Në këtë mënyrë përmirësohet besimi, duke ulur kostot e huamarrjes së sektorit publik, dhe duke kompensuar të paktën pjesërisht çdo ndikim negativ afatshkurtër të kërkesave të konsolidimit fiskal”, deklaroi Nadeem Ilahi, Shef i Misionit për Shqipërinë në FMN. 

“Ndërkohë që rreziku më i madh i jashtëm për ekonominë shqiptare është dobësia në Eurozonë, kërcënimi më serioz i brendshëm është zhbalancimi në financat publike.”

“Në një kohë që qeveria shqiptare nuk mund të bëjë shumë për të ndihmuar vendet e tjera, mund dhe duhet të bëjë më shumë për të balancuar llogaritë e veta," vuri në dukje Indermit Gill, Kryeekonomisti për Evropën dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore. 

Nga ana tjetër, ministri i ekonomisë, Ridvan Bode, ka thënë se ulja graduale e borxhit publik mbetet një përparësi për qeverinë.