Tiranë, 11 prill 2014 – Në përshpejtimin e rritjes së ekonomisë shqiptare, nga 2.1% këtë vit në mbi 3% vitin e ardhshëm, ndikim të madh do të japë rimëkëmbja e dy ekonomive fqinje, Italisë e Greqisë. Sipas parashikimeve ekonomike të Fondit Monetar Ndërkombëtar ekonomitë greke e italiane, do të ecin me të njëjtin hap këtë vit duke u rritur vetëm 0.6%, por në 2015-n, ato do të gjallërohen shumë më tepër.
Viti pritet të jetë shumë më i mirë për Greqinë, ekonomia e së cilës do të rritet gati 3%, ndërsa zhvillimi i asaj italiane do të jetë 1.1%. Për herë të parë në këto vite tranzicioni, vitin e ardhshëm Italia mbetet pas Greqisë në zhvillimin ekonomik.
Gjithsesi, dinamika e përmirësuar italiane pritet të reflektohet pozitivisht në vendin tonë, si për lidhjet shumë të forta në tregti edhe në investimet private italiane këtu. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, me Italinë e Greqine zhvillojmë rreth 49% të tregtisë dhe një e treta e investimeve kanë pikërisht nga këto vende.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





