TIRANË- Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka mbërritur në Shqipëri, duke dhënë edhe këshillat e para për qeverinë e re. Për shefin e misionit të FMN-së, Nadeem Ilahi ulja e borxhit është veprimi imediat që duhet ndërmarë, ndërkohë që ka renditur edhe probleme të tjera që rëndojnë aktualisht ekonominë.
“Duhen veprime të shpejta për uljen e borxhit. Duhen dokumentuar detyrimet ndaj biznesit dhe i duhen dhënë sinjale të qarta sipërmarrjes. Duhet bërë konsolidimi fiskal dhe duhet ndryshuar kahu në borxhin e brendshëm. Përvec këtyre politikave që duhen ndërmarrë, mëse e rëndësishme është dhe fokusimi tek taksat dhe tatimet, ku ka rënie të të ardhurave të tyre. Problem për Shqipërinë mbetet dhe e drejta e pronësisë, mbi tokët”, theksoi shefi i misionit të FMN-së, Nadeem Ilahi.
Kreu i misionit të FMN-së ka vlerësuar shqetësuese rënien e rritjes ekonomike në Shqipëri dhe ka kërkuar nga qeveria që të ndërhyjë me masa konkrete, në të kundërt ekonomia do të rrezikohet
“Kriza ka ulur rritjen ekonomike të vendit. Prirja rënëse e rritjes ekonomike vijon. Dhe në vlerësojmë se kjo situatë është pasojë e ngadalësimit të eksporteve dhe rënies së kërkesës së brendshme. Ndikim kanë pasur zhvillimet në financat publike, rritja e deficitit buxhetor dhe borxhit, si dhe detyrimet ndaj biznesit. Nëse nuk ndryshojnë politikat atëherë ka rrezik për të ardhmen”,deklaroi kreu i misionit të FMN-së.
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar do të qëndrojë në Shqipëri deri në fund të javës së ardhshme, ku do të zhvillojë takime me drejtuesit e qeverisë së re dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani për të vlerësuar gjendjen aktuale të buxhetit, si dhe për të dhënë rekomandime për hartimin e paketës fiskale dhe buxhetit të vitit të ardhshëm.
http://www.balkanweb.com/kryesore/1/fmn-ne-tirane-ja-keshillat-per-qeverine-e-re-rama-149561.html





