Tiranë, 20 mars 2014– FMN i propozon qeverisë shqiptare rritjen e moshës së pensionit, 67 vjeç për burrat dhe 65 vjeç për gratë. Banka Botërore po asiston qeverinë në reformën e pensioneve, por edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar jep sugjerimet e tij për masat që duhet të ketë parasysh qeveria.

Kështu, FMN propozon që mosha e daljes në pension për burrat të shkojë nga 65 vjeç që është sot, në 67 vjeç, ndërkohë që për gratë nga 60 vjeç që është, në 65 vjeç. Por, përveç moshës, FMN propozon edhe një sërë masash të tjera që duhet të ecin paralelisht.

Situata e vështirë ekonomike në vend ka bërë që FMN-ja të sugjerojë rritje të taksave. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka propozuar rritje të mëtejshme të 10 taksave. Marrëveshja e qeverisë me këtë institucion financiar për marrjen e 330.9 milionë eurove paralajmëronte një politikë të ashpër fiskale dhe mesa duket kjo po realizohet dita-ditës.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar nëse qeveria do të ulë deficitin, mënyra e vetme është zgjerimi i bazës së taksimit, ulja e shpenzimeve dhe rritja e të ardhurave. Taksimi më i lartë parashikohet për automjetet e përdorura me rreth 50 % , duke i rënduar më shumë familjeve të shtresave të mesme pasi ato përdorin më së tepërmi automjete të përdorura.

Ndërkohë, parashikohet rritje e taksave për shtëpitë, apo nga dhënia me qira e tyre me rreth 12%. Çdo person që do të shesë një shtëpi do të paguajë taksë edhe për vlerën e tokës. Gjithashtu edhe ata qytetarë që do të udhëtojnë jashtë Shqipërisë apo do të blejnë mallra luksi do të detyrohen që t’i paguajnë shtetit një taksë.

Propozohet gjithashtu që të taksohen edhe ata persona që kanë para në bankë, të cilët do detyrohen të paguajnë një taksë shtesë për fitimin që marrin nga depozitat.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/