Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka zbardhur takimin e zhvilluar ditën e sotme të ambasadores amerikane, Yuri Kim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku.
Në një status në rrjetin social Facebook, ambasada bën me dije se në takim është diskutuar për bashkëpunimin në rritje SHBA-Shqipëri në zbatimin e ligjit kundër rrjeteve kriminale, trafikut të drogës dhe kërcënimeve kibernetike.
Po ashtu ambasada e SHBA nënvizon se Kim gjatë takimit ka theksuar rolin vendimtar të Policisë së Shtetit në sigurimin e një procesi të sigurt dhe të hapur në zgjedhjet e 14 Majit.
“Ambasadorja Kim dhe Drejtori i Policisë së Shtetit Shqiptar Rrumbullaku diskutuan bashkëpunimin në rritje SHBA-Shqipëri në zbatimin e ligjit kundër rrjeteve kriminale, trafikut të drogës dhe kërcënimeve kibernetike. Ambasadorja theksoi rolin vendimtar të Policisë së Shtetit në sigurimin e një procesi të sigurt dhe të hapur në zgjedhjet e ardhshme, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ligjin shqiptar”-shkruan ambasada e SHBA.