Instrumentistët, këngëtarët dhe valltarët e Ansamblit Popullor mbrëmjen e së dielës patën ndalesën e radhës në qytetin e Durrësit, në kuadër të koncerteve “Folk on Tour”, të mbajtura në të gjithë Shqipërinë.

Ansambli solli për publikun pjesë të zgjedhura të folkut kombëtar si dhe këngë e valle të Shqipërisë së Mesme.

Programi i pasur artistik “pushtoi” sheshin qendror të Durrësit, ndërsa të shumtë ishin artdashësit durrsakë që ndoqën nga afër pjesët e përzgjedhura me mjaft kujdes nga trupa e Ansamblit.

“Folk on tour” me ndalesat e tij në të gjitha qytetet shqiptare ka për qëllim promovimin e vlerave të jashtëzakonshme të folklorit shqiptar.

Në këto netë të nxehta gushti, publiku ka pasur mundësi të shijojë live pjesë nga krijimtaria e folklorit tonë të pasur me këngë, valle e kostume popullore, duke promovuar trashëgiminë kulturore të të gjitha trevave shqiptare.