Dëmtimi i katër fenerëve të kanalit hyrës të portit të Durrësit ka detyruar autoritetet portuale të marrin masa për vijueshmërinë e hyrje-daljeve të anijeve tregtare dhe trageteve në portin më të madh të vendit.

Në një komunikim me “DurrësLajm”, kapitani Tauland Allka thotë se që prej mbrëmjes së të martës lëvizja e anijeve tregtare në hyrje të portit po realizohet me sistemin “Follow me”.

Një natë më parë ka lënë portin e Durrësit anija “Michigan”, e cila është orientuar nga anija pilot gjatë kalimit në kanalin hyrës pasi kushtet e rënduara atmosferike e bënin të pamundur fushëpamjen.

Ditën e djeshme Drejtoria e Përgjithshme Detare njoftoi se fenerët e dëmtuar nga moti i keq janë:

  • Feneri i Pilotit me të dhënat LFI VV10s 6M,
  • Feneri i kuq i çiftit të dytë me të dhënat FI(2)R6s 3M,
  • Feneri i kuq i çiftit të tretë me të dhënat FI(1)R 9s 3M,
  • Feneri jeshil i drejtimit kryesor të aksit së kanalit hyrës me të dhënat FIG 5s 3M.

Reshjet e vazhdueshme të shiut nuk kanë krijuar mundësi për riparimin e fenerëve dhe autoritetet presin përmirësimin e kushteve atmosferike për të nisur punën për rivënien e tyre në punë.

Pritet që mbrëmjen e kësaj të mërkure të rinisin lëvizjet e trageteve Durrës-Bari, Durrës-Ankona dhe anasjelltas të cilat ishin ndërprerë që prej 28 dhjetorit për shkak të motit të rënduar.

Aktualisht në det të hapur forca e detit është 6-7 shkalla bufort, ndërkohë në gjirin e Durrësit ajo shkon deri në 4-5 shkalla bufort.

Prej 27 dhjetorit, Drejtoria Detare paralajmëroi për përkeqësim të motit deri ditën e sotme, ndaj është kërkuar bashkëpunim nga të gjithë subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gadishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.