Drejtuesi politik i qarkut të Durrësit, Oerd Bylykbashi tha se përmbytjet e përsëritura në zonën e ish-Kënetës nuk janë një fatkeqësi natyrore, por pasojë e “dorës së njeriut” dhe “tekave korruptive”.

Në foltoren e Partisë Demokratike që po organizohet sot pasdite në Durrës, Bykykbashi duke akuzuar qeverinë qendrore dhe atë lokale për braktisje dhe keqqeverisje, e cilësoi Partinë Demokratike si alternativën e vetme. Ai premtoi se kjo zonë do të ketë përfaqësim dinjitoz dhe do të zhvillohet sipas standardeve moderne për të ndalur largimin e të rinjve, duke mbyllur fjalimin me një thirrje për fitore në përballjen e ardhshme politike.

Bylykbashi u shpreh i bindur se  përballja e ardhshme do të çojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, me një qeveri teknike dhe Partia Demokratike fiton.

Deklarata e Bylykbashit

Këtë betejë ta çojmë përpara ta çojmë deri në fund. Ditët e regjimit të Edi Ramës janë të numëruara. Duhet vetëm ne të bëjmë çdo gjë që është e nevojshme në këtë përballje për ta rrëzuar. Miq, po vjen dhe pak dhe mbushet viti nga zgjedhjet e 11 majit. Këto dy grup seksione këtu janë, kanë qenë në të gjithë karrierën time politike për aq kohë sa unë jam deputet, kanë qenë të jashtëzakonshme në punën që e kam bërë. Në të gjitha momentet, në të gjitha përballjet, ju keni qenë pararoja e rezultateve të Partisë Demokratike në qytetin e Durrësit. Dhe është puna e drejtuesve, e anëtarëve dhe e strukturave të cilët kanë arritur ta japin këtë edhe në ditën më të vështirë. Edhe në presionin më të madh të pushtetit, qoftë atij qendror, qoftë atij këtu lokal. Mos harrojmë që ne nuk përballemi vetëm me qeverinë në Durrës, përballemi me bashkinë e dytë më të madhe që është zemra e sistemit të patronazhimit këtu. Këtu në këtë bashki kalojnë. Megjithatë ju e keni përballë këtë me nder, me kurajo, me sakrificë. Jeni përballë ditët më të vështira përsëri siç e tha Froku, keni dalë fitues edhe në momentet më të vështira të Partisë Demokratike. Unë për këtë si drejtues politik i qarkut Durrës, ju falenderoj nga zemra I gjithë qarkut të Durrësit, u pati përballje të jashtëzakonshme me të gjithë makinerinë shtetërore, pa asnjë përjashtim.

Por jo vetëm makinerinë shtetërore, por dhe makinerinë kriminale, të organizuar në çdo kuadrat, në çdo lagje, në çdo qark, në çdo qytet pa lënë asgjë rastit, përsëri arritët dhe u përballët. U përballët dhe mbrojtët një rezultat që sado nuk është fitore absolute, arritët që të përballni makinerinë e shtetit dhe të krimit dhe kjo tregon që në qoftë se ne punojmë fort, në qoftë se ne do të punojmë më mirë, në qoftë se ne do të vëmë përsëri njerëzit e duhur të cilët do të na çojnë përpara, jam i sigurt që me situatën që po zhvillohet, me forcën tonë, me atë përballje që jemi duke treguar në mënyrë fare të qartë, pothuajse prej javësh tani, me protestat, po dhe me me të gjithë aksionin tonë, në parlament, jashtë parlamentit, me ndërkombëtarët, jam i sigurt, përballja e ardhshme do të çojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, me një qeveri teknike dhe Partia Demokratike fiton sepse jeni ju këtu.

Unë nuk do ta harroj një porosi të doktor Berishës kur unë shkova për herë të parë kandidat për deputet në vitin 2013. Një nga zonat që do të përfaqësoja ishte kjo zonë. E cila falë jush nuk është më ish-Këneta e Durrësit. Falë jush është Durrësi i ri. Keni krijuar një realitet i cili 30 vite më parë as mendohej fare. 30 vite më parë për durrsakun nuk mendohej që kjo zonë do të ishte kjo që është sot. A është mirë? Absolutisht është një situatë e papranueshme. Por ama ju me shpirt, me dhëmb, me sakrifica e keni transformuar deri këtu, por shteti nuk ka ardhur tek ju. Edhe kur ka ardhur, ka ardhur vetëm me programe elektorale, me asfalt elektoral, me investime të cilët kanë prodhuar shpeshherë më shumë probleme për ju sesa ju kanë zgjidhur hallet. Sepse nuk janë bërë për ju, janë bërë vetëm për të kaluar radhën për të fituar zgjedhjet. Ju këtë, ju këtë e dini dhe për të grabitur, për të vjedhur lekët. Përmbytjet brenda një viti, katër herë përmbytje e kësaj zone, por edhe e gjithë qytetit të Durrësit, ka vetëm një arsye, dorën e njeriut. Dorën e Edi Ramës, kryetares së bashkisë dhe të gjithë atyre, asaj bande bashki buzukësh, që nuk kanë lënë para pa vjedhur në 25, tashmë pothuajse 26 vite që qeverisin qytetin e Durrësit. Imagjinoni sa buxhete janë shpenzuar, sikur një pjesë e atyre të ishin shpenzuar me një plan afatmesëm, një afatgjatë, kjo zonë këtu nuk do të vuante nga përmbytjet, do të kishte gjithë infrastrukturën, dhe do të kishte të gjitha kushtet për të qenë një zonë dinjitoze për të gjithë ju. Atëherë kur unë nisa fushatë, doktor Berisha më tha një gjë. Në atë kohë doktor Berisha, kryeministër, më tha një gjë.

Ne nëse marrim mandatin, ajo zonë do të ketë në çdo cep, në çdo centimetër katror infrastrukturën më moderne. Përsëri unë besoj që ky mbetet një objektiv i padiskutueshëm që do të realizohet sapo ne të vijmë në pushtet. Kjo zonë duhet të ketë, duhet të jetë me të njëjtat standarte e çdo qyteti modern. Vetëm ashtu ju mbani ju këtu, mbani të rinjtë këtu, fëmijët tuaj këtu dhe nuk ikin. Gjejnë mundësinë, zhvillohen bizneset. Nuk ka pse të jetë Durrësi vetëm një qendër, mund të zhvillohet këtu. Por nuk ka pse të përmbytet sepse nuk duan të hapin hidrovorin e vjetër. Dhe jeni ju që e vuani. E besoj e keni dëgjuar atë histori që hidrovor i ri është është 1.2 metra më lart se sa hidrovor i vjetër. Për tekat e tyre korruptive, sot vuan një komunitet që është rreth 40% e qytetarëve, banorëve dhe zgjedhësve të qytetit të Durrësit. Kështu që, e gjithë kjo, po nuk është vetëm ky problemi. Po jo vetëm ju përmbysin, po u tha më herët, ju trajtojnë në mënyrë krejt selektive. Ju lënë aty pa i marrë ato dëmshpërblime. Njerëzit i zuri përmbytja e dytë, përmbytja e tretë, nuk kanë marrë ende dëmshpërblimin. I marrin ata që janë të sistemit të patronazhimit, nuk i merrni juve.

Një shtet i drejtë i duhet shqiptarit, nuk është historia të bëjmë gjykata, është e rëndësishme të bëjmë një shtet që është i drejtë, është i thjeshtë, kur ju të shkoni tek bashkia apo njësia administrative merrni të drejtën tuaj. Unë besoj që e vetmja alternativë që shqiptarët dhe kjo zonë në mënyrë të veçantë, banorët e kësaj zone këtu të qytetit të Durrësit, janë, kanë vetëm një alternativë që është Partia Demokratike. Edhe diçka. Duhet, unë jam i bindur për këtë, duhet patjetër që ne si Partia Demokratike të gjejmë mekanizmat në mënyrë që kjo zonë të ketë përfaqësimin e saj, përfaqësimin më të mirë të mundshëm, jo vetëm brenda strukturave të Partisë Demokratike, por në Këshill Bashkiak, dhe në çdo instancë tjetër të pushtetit, mundësisht edhe në përfaqësimin politik në parlament. Duhet që ne në këtë mënyrë të reflektojmë atë që është një realitet i ri, janë njerëz të cilët kanë aspirata dhe duan të jenë ata të cilët nuk i shkel me këmbë oligarkia. Nuk bën projekte për t’u prishur shtëpiat në mënyrë që të bëjnë pallate të shtrenjta sepse kështu kanë vendosur. Së bashku ne mund t’ia dalim. Unë edhe njëherë kam besim të jashtëzakonshëm që të gjithë së bashku, me drejtuesit e Partisë Demokratike këtu në këtë zonë, në të gjithë qytetin e Durrësit, në të gjithë qarkun e Durrësit, në përballjen e ardhshme do të jemi fitimtarë. Fitore!