Fondacioni Credins, në bashkëpunim edhe me bashkinë Durrës dhe degën lokale të Kryqit të Kuq, u erdhi në ndihmë sot familjeve nga komunitetet e margjinalizuara.
Pranë ambienteve të Qendrës Kulturore Durrës iu dhuruan pako me ushqime 100 familjeve në vështirësi ekonomike për t’i lehtësuar sadopak nevojat e tyre bazike.
Ela Golemi, drejtoresha rajonale e bankës Credins, deklaroi se kjo ndihmë synon t’u lehtësojë sadopak vështirësitë ekonomike familjeve më në nevojë.
Pjesë e iniciativave të mëtejshme të fondacionit Credins pritet të jetë edhe Klubi Rotarian Durrës, pasi siç theksoi një nga anëtaret e tij Tatjana Gjepali, kontributi i rotarianëve do të jetë në vazhdën e iniciativave humanitare të ndërmarra gjatë më shumë se 2 dekadave të ekzistencës së klubit.
Pjesa më e madhe e familjeve që u trajtuan me pako ushqimore ishin nga komunitetet e margjinalizuara.





