Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një njoftim për mediat shpjegon se fondet që do të shpërndahen për Partitë Politike lidhur me fushatën zgjedhore janë miratuar që prej datës 13 prill nga Kuvendi.
KQZ bën me dije se vendimi i marrë më 22 prill përcakton dhe sasinë që do të shpërndahet nga Buxheti i shtetit për partitë politike që do marrin pjesë në zgjedhje.
Njoftimi i plotë:
Shpjegim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
Duke u nisur nga disa shqetësime të raportuara nga ndonjë subjekt zgjedhor lidhur me vonesën në shpërndarjen e sasisë së fondit nga Buxheti i Shtetit që u jepet si paradhënie partive pjesëmarrëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 14 Maj 2023”, KQZ sqaron se:
Fondi për zgjedhje që përfitojnë partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje u miratua me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 13.04.2023. Ligji në fjalë ka hyrë në fuqi në datën 13.04.2023 dhe i është dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në datë 20.04.2023.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve më datë 22.04.2023 ka miratuar vendimin nr. 397, “Për përcaktimin e sasisë së fondit nga Buxheti i Shtetit që do t’u shpërndahet si paradhënie partive pjesëmarrëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 14 Maj 2023”.
Shpërndarja e fondeve partive bazuar në vendimin përkatës të Komisionerit Shtetëror bëhet direkt nga Buxheti i Shtetit.