Fitorja kundër Crevenza Zvezdes 2 me 1 në San Siro në Champions, nuk ka mjaftuar për të kthyer qetësinë në ambientin milanist. Përkundrazi deklaratat e forta pas suksesit kundër serbëve nga trajneri Fonseka kanë shkaktuar zhurmë të madhe në mediat sportive italiane, ndërkohë që kanë krijuar jo pak shqetësim tek drejtuesit e lartë të Milanit dhe tifozët.

Tekniku portugez foli për mungesë të theksuar impenjimi nga disa lojtarë dhe kjo sipas tij është diçka e përsëritur që po ndikon për keq në ecurinë e Milanit.

Fonsecka shtoi se është përpjekur të punojë fort për rezultate të larta tek kuqezinjtë, por angazhimi i një pjesë të lojtarëve e ka lodhur duke shtuar se tanimë ka dy rrugë për të zgjidhur këtë situatë: ose klubi të marrë masa, ose ai do të thërrasë lojtarë nga të rinjtë për të zëvendësuar planprishësit.

“Problemi është se Milani im është një ruletë ruse. Njëherë jemi mirë, njëherë tjetër nuk i dihet”, – u shpreh mes të tjera portugezi.

Pak orë pas suksesit ndaj Cervena Zvezdes, Paolo Fonseka mblodhi lojtarët në Milano për ti sqaruar edhe njëherë të gjithë qëndrimin që e  bëri edhe para mediave.

Në këtë mbledhje të brendshme nuk ishte asnjë nga drejtuesit e lartë të skuadrës. Situata tek Milani në aspektin sportiv, nuk është aspak e mirë, sidomos para në kampionat të dielën ku do të mbahet edhe një ceremoni në lidhje me 125 vjetorin e krijimit të klubit.

Mediat italiane tashmë aludojnë edhe për emrat që i kanë prishur humorin Fonseckes nga Teo Hernandez, tek Tomori, Loftues Cik apo Kalabria, me këtë të fundit që në mënyrë demonstrative  nuk denjoi ti jepte dorën trajnerit pas zëvendësimit në duelin e fundit në Champions.