Në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” janë sekuestruar pasuri me vlerë mbi 1.4 milion euro të një grupi të dyshuar kriminal në Lezhë.

Grupi dyshohet se e ka vendosur pasurinë me trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe shfrytëzim prostitucioni, ndërsa janë vendosur në sekuestro preventive për 15 pasuri të paluajtshme. Pasuritë e sekuestruara kapin vlerën totale rreth 1,450,000 euro.

15 pasuritë e vendosura në sekuestro

• 7 ambiente biznesi, me sipërfaqe rreth 1100 m2 si Hotel, Bar, Restorant;
• 4 ambiente banimi, me sipërfaqe rreth 1000 m2 (apartamente, vila);
• 4 parcela tokë arë, me sipërfaqe totale rreth 22900 m2;
• 9 automjete luksoze.

Këto pasuri rezultojnë të regjistruara në emër të shtetasve me inicialet P. S. 40 vjeç, banues në Shëngjin, Lezhë dhe Valentin Selajt 49 vjeç, banues në Rrilë, Lezhë, i arrestuar nga policia e Firences në Itali, si drejtues i një grupi kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika në Itali dhe shfrytëzimin për prostitucioni.

A.S., 35 vjeç, banues në Shëngjin, Lezhë, i arrestuar në vitin 2008 nga policia e Trentos në Itali si pjesëtar i një grupi kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike nga Holanda drejt Italisë, në kuadër të operacionit “Apuleio” dhe në vitin 2010 u dënua me 4.6 vite burg. Hetimi për këtë grup kriminal, nisi bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.

Në janar 2018, pas një hetimi disa mujor me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim me Prokurorinë u dokumentua veprimtaria kriminale dhe pasuritë e dyshuara se rrjedhin nga aktiviteti kriminal. Policia i sugjeroi Prokurorisë vendosjen e sekuestros preventive mbi pasuritë e identifikuara në pronësi të pjesëtarëve të grupi kriminal dhe familjarëve të tyre.