Forcat detare të NATO-s dhe ato të porteve të shteteve fqinje me vendin tonë, janë angazhuar në kërkimet për gjetjen e anijes “Çelepia 2” dhe 2 peshkatarëve, motororistit Luan Mema dhe kapitenit Dhimitër Malja, të marrë peng nga shtetasi egjiptian Adel Sallam.

Pas apelit të familjarëve për ndihmë dhe gjetjen e dy peshkatarëve të marrë peng, Autoriteti Portual  Durrës ka bërë të ditur se u është kërkuar ndihmë aleatëve dhe misionit të BE, që kontrollon ujërat detare për të parandaluar rrugën e trafikut njerëzor Libi-Itali, por deri tani ende nuk është mundur të sinjalizohet vendndodhja e  anijes “Çelepia 2”.

Sipas kapitanerisë, anija duhet të jetë diku në detin Egje, pasi po të ishte në portin egjiptian të Aleksandrisë, do ishte kapur me kohë. Paralelisht me forcën detare të NATO-s janë angazhuar në operacionin e kërkim shpëtimit edhe autoritetet egjiptiane, por ende nuk dihet asgjë për fatin e anijes dhe dy peshkatarëve.