Gjatë takimit të tij të dytë me emigrantët shqiptarë në Greqi këtë herë në qytetin e Selanikut, kryeministri Edi Rama i cilësoi forcat e reja politike si “maska të Sudes”.

Rama u shpreh se “forcat e tjera, jo vetëm ato më fytyra të vjetra, por edhe të reja” dhe që ua bëjnë fushë me lule, pas tyre kanë “Suden” si kulturë politike, duke iu referuar gruas që krijoi një prej firmave piramidale të fund viteve ’90 në Shqipëri.

“Janë njësoj si Sudja që pasi i zhyti të gjithë doli te sporteli e tha që loja mbaroi”, u shpreh Rama, ndërsa shtoi se edhe pse Shqipëria nuk është “fushë me lule”, PS është e vetmja forcë që di të shohë realitetin me sytë e qytetarëve dhe di se çfarë të bëjë për të ndryshuar realitetin.

“Të ishte për ato forca të tjera, jo vetëm ato më fytyra të vjetra, por edhe të reja. Ato që dalin dhe ua bëjnë fushë me lule janë maska të Sudes, pas tyre është Sudja si kulturë politike. Janë njësoj si Sudja që pasi i zhyti të gjithë doli te sporteli e tha që loja mbaroi.

Nuk kam ardhur të them se s’ka probleme sepse ka. Nuk kam ardhur t’u them se kemi bërë gjithçka, por besojmë se kemi bërë aq sa kemi pasur mundësi të bëjmë dhe duke iu treguar se dimë të shohim realitetin me sytë tuaj dhe dimë të bëjmë për të bërë për të ndryshuar realitetin edhe më shume dhe dimë se çfarë duhet bërë”, u shpreh Rama.