Batalioni i Forcave Speciale ka kremtuar 20-vjetorin e krijimit, ditë e cila u shndërrua në festë, ku morën pjesë edhe familjarët e pjesëtarëve të këtij batalioni.

Për të festuar 2 dekada histori e angazhime të njësisë elitë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ishte e pranishme edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila vlerësoi maksimalisht kontributin 20-vjeçar të Forcave Speciale.

“Përgjatë 20 vjetëve, Forcat tona Speciale ia kanë dalë me sukses të pasurojnë CV-në e tyre me një gjeografi dhe shumëllojshmëri angazhimesh, operacionesh, në vende me rrezikshmëri të lartë, dhe të jenë trupa më elitare e Forcave tona të Armatosura.

Kjo trupë është një aset kombëtar dhe këta djem janë krenaria e Forcave tona të Armatosura, krenaria e vendit tonë, krenaria e secilit prej nesh. Janë heronj të heshtur për të cilët flet vetë historia.
Falë tyre flamuri ynë është valëvitur krenar, përkrah flamujve të aleatëve tanë, në teatrot më të vështira të operacioneve, që nga Mosuli i largët deri tek Kandahari i frikshëm”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Xhaçka nuk la pa përmendur kontributin e ish-pjesëtarëve të këtij batalioni, që siç tha ajo, “përkushtimi, profesionalizmi dhe idealizmi i tyre shërbejnë si frymëzim për brezat që vijnë.”

Gjithashtu, ministrja e Mbrojtjes vlerësoi edhe rolin e veçantë dhe të pazëvendësueshëm të familjeve të efektivëve specialë, sakrifica e të cilave, sipas saj, ka shërbyer për një Shqipëri më të sigurt.

Familjarët, por sidomos fëmijët e pjesëtarëve të batalionit të Forcave Speciale u bënë pjesë e një programi argëtimi me animatorë dhe numra cirku.

Me këtë rast, u ekspozuan armatimet, pajisjet dhe mjetet që ka në përdorim batalioni i Forcave Speciale, ku gjithashtu fëmijët ishin frekuentuesit më të mëdhenj.

Në festën e 20-vjetorit të Forcave Speciale morën pjesë gjithashtu shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandantët e forcave, ish-komandantë e këtij batalioni, atashetë e huaj ushtarakë në vendin tonë, si dhe të ftuar të tjerë.