GREQI, 17 mars 2013 – Ka sosur durimi i autoriteteve në Greqi rreth pengmarrjes së gardianëve në burgun e Malandrinos nga shqiptari Alket Rizai dhe orët e fundit forcat speciale kanë nisur operacionin e ndërhyrjes.
Rizai mban peng nga mbrëmja e djeshme 6 gardianë, ndërsa një prej pengjeve mësohet se është liruar sot. I dënuar me burgim të përjetshëm në Greqi dhe i njohur për dy arratisjet e mëparshme spektakolare nga burgu, kërkon një automjet për tu larguar, në të kundërt kërcënon se do hedhë në erë burgun.
Mësohet se janë dëgjuar krisma armësh, ndërsa forcat speciale kanë hedhur gaz lotsjellës, situatë kjo që ka sjellë revolten edhe të rreth 500 të dënuarve që vuajnë dënimin në këtë burg.
Rreth orës 14:00 (ora greke) ka filluar një operacion i forcave speciale brenda burgut të Malandrinos në një prej reparteve të të cilit i burgosuri shqiptar Alket Rizai, mban peng pesë gardianë prej mbrëmjes të së shtunës.
Sipas informacioneve që nuk janë të shumta dhe janë ende të paverifikuara zyrtarisht, forcat speciale po përdorin për të dytën herë bomba me gaz lotsjellës, madje janë dëgjuar edhe krisma armësh, ndërsa në burg ku vuajnë dënimin mbi 500 persona dëgjohen britma proteste për hyrjen e forcave policore të armatosura deri në dhëmbë.
Sipas Ministrisë së Rendit, forcat speciale kanë hyrë në mjediset e burgut me qëllim largimin e shtatë gardianëve të tjerë që ndodheshin atje gjatë pengmarrjes së pesë kolegëve të tyre si dhe për të nxjerrë me siguri të plotë të burgosurit nga qelitë dhe për t’i çuar ata drejt mencës.
Sipas dëshmive ende të pakonfirmuara, Rizai mban një objekt katror prej të cilit dalin disa kabllo dhe deklaron se është një mekanizëm shpërthyes, ndërsa në dorën tjetër ka një pult komandimi. Bashkëpunëtorët e tij thuhet se kanë një thikë.
Alket Rizai ka kryer në të kaluarën dy prej arratisjeve më spektakolare nga burgu i Koridhalosë, që të dyja me helikopter, në 4 qershor të 2006 dhe në 22 shkurt të 2009.
Sipas zyrtarëve të policisë greke, Rizai është një prej keqbërësve më të përfolur shqiptarë me një dosje penale të mbushur me akuza për trafik të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje, vrasje dhe arratisje të bujshme.
Është përpjekja e tretë e tij për tu larguar nga burgjet greke, pasi siç deklaron, nuk është fajtor për asnjë prej akuzave dhe krimeve për të cilat i është dhënë dy herë dënimi me burg të përjetshëm.
Biseda e gazetarit grek me Alket Rizain
Ndërkaq në mediat greke po qarkullon biseda audio e një gazetari me Alekt Rizain dhe me një prej pengjeve.
Në këtë bisedë, Alket Rizai është shumë i tensionuar dhe tregon se është i armatosur me lëndë eksplozive C4 dhe me 22 zare metalike që përdoren për bombat artizanale.
Gazetari: Janë mirë pengjet me shëndet? Po ti?
Alketi: Janë të gjithë mirë. Ja, foli vetë.
Gazetari: Si e ke emrin?
Pengu: Nuk dua të them emrin tani. Nuk është kjo çështja, por çështja është se kërkojnë makinë. Po lutemi kaq orë, të ikin e të na lënë të lirë. Kaq e vështirë është kjo gjë? Kaq e vështirë?
Gazetari: Ke granata me vete Alket?
Alketi: Jo, vetëm gjysmë kilogramë C4 dhe 22 zare metalike (bomba artizanale për shpërthim).





