Pas një sezoni gati-gati të dështuar, këtë vit Teuta ndryshoi si me magji. Pas tre muajsh, bregdetarët janë në vendin e tretë të kampionatit me një ecuri të shkëlqyer në javët e fundit. Kanë kaluar 14 javë dhe “Djemtë e Detit” krenohen me 25 pikë të grumbulluara, 6 më pak se kryesuesit e Partizanit. Dhe duhet thënë që vetëm në 5 ndeshjet e fundit kanë marrë 11 pikë, duke qenë skuadra më në formë e gjithë kampionatit. Kanë rikuperuar edhe golavarazhin, pasi në 5 javët e fundit janë shënuar 8 gola, dyfishin e kryesuesve apo edhe tre gola më shumë se Skënderbeu.

Në tabelën e përgjithshme, bregdetarët kanë sulmin e dytë më të mirë, me vetëm 1 gol më pak se Skënderbeu. Ka thyer të gjitha ekipet e zonën “Euro” dhe mbi të gjitha humbja e fundit është shumë e largët, konkretisht më 3 tetor, kur në kryeqytet mposhteshin 3- 0 nga Partizani. Ishte ndeshja që u konsiderua si më e dobëta. Duket se një humbje e tillë i ka shkundur të gjithë, duke e kthyer këtë ekip në pretendent.

Që pas disfatës së fundit janë zhvilluar 7 ndeshje, ku kanë sigluar 5 fitore dhe 2 barazime, e midis tyre tri ndeshje pa pësuar gol. Askush më mirë se ata në kampionat dhe gjithçka erdhi në rritje progresive në çdo repart. Në fillim të sezonit flisnim për “thatësi”, ndërsa tani lojtarët që nuk kanë shënuar i gjen me pikatore, e i fundit që gjeti rrugën e rrjetës ishte Kallaku. Golashënuesi i skuadrës mbetet pa dyshim ganezi Latif, me tetë gola, katër prej tyre me penallti, ndërsa golat e tjerë janë shpërndarë te Bicaj, Progni, Kallaku, Kamara e Beqja.

SHKËMBI – Të nisësh diçka nga “zero”, pa dyshim është diçka shumë e vështirë dhe për më tepër kur sapo ke nisur karrierën si trajner, por Bledi Shkëmbi ia ka dalë me sukses. Jo vetëm që ka ndërtuar një skuadër me shumë cilësi dhe që bind në lojë, por tani duket se skuadra ka një “busull” dhe di se ku është nisur, pavarësisht pengesave që mund t’i dalin përpara.

SKËNDËRBEU – Ndeshja e radhës i dërgon durrsakët në qytetin e Korçës. Duhet të kthehesh disa sezone më parë për të parë një diferencë kaq të vogël midis Teutës dhe Skënderbeut në kampionat, vetëm 5 pikë. Ndeshja e fazës së parë u fitua 2-0 nga Teuta dhe duket se ai trepikësh i dha akoma më shumë shtysë për të fituar besimin në vetvete. Skënderbeu nuk fiton në kampionat përballë bregdetarëve nga dhjetori i 2017-ës dhe ndeshja e fundit në qytetin e Korçës ka përfunduar 1- 3 në favor të “Djemve të Detit”.