Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete, në një konferencë për mediat për bilancin e vitit 2023, foli edhe për dominimin e lekut ndaj monedhave të huaja është reflektim i forcimit të ekonomisë.
Sa i përket ndikimit të forcimit të monedhës vendase tek eksportet, ministri Mete u shpreh se janë disa faktorë që po japin efektet e tyre.
“Forcimi i Lekut është reflektim i forcimit të ekonomisë. Nëse kemi në vetëm 9 mujor 3.2 miliardë euro flukse hyrëse nga turizmi sigurisht që ndikon në forcimin e monedhës vendase.
Ashtu siç ka edhe flukse të tjera të cilat nëpërmjet edhe forcimit të ekonomisë, shprehen në forcim të monedhës vendase.
Sa i përket eksportueseve nuk është vetëm kjo arsyeja, jemi ekonomi e hapur dhe e ndjeshme si ekonomi ndaj partnerëve tanë tregtarë veçanërisht në eurozonë, ka një sërë ndikimesh ka dhënë efekt në këta sektorë.
Në momentin që kemi evoluim në zhvillimin ekonomik, ndodh edhe ndryshim i ristrukturim i sektorëve në ekonomi. Nga sektorë me vlerë të ulët të shtuar dhe me paga relativisht të ulta që shfrytëzojnë krahun e punës në një zhvendosje drejt sektorëve me vlerë më të lartë të shtuar, me paga më të larta që reflektojnë edhe zhvillimin e ekonomisë. Ky mund të jetë transformim i shpejtë, por edhe më i ngadaltë, duhet të ketë ndjeshmëri dhe ne e kemi këtë ndjeshmëri.
Jemi në dialog me eksportuesit për të akomoduar sa të mundemi një pjesë të tyre, por gjithmonë me fokusin të një transforimi të sektorit. Pasi mundet që edhe sektori të kalojë nga një sektor me punë porositësi, të një sektori që bën ciklin e mbyllur dhe prodhon më me vlerë të shtuar”,-tha ministri Mete.