16 Shtator 2014 – Formacioni më i mirë i javës së 4 sheh të përfshira 8 nga 10 skuadrat e kategorisë superiore. Në 11 më të mirë të javës nuk ka sesi të mungojnë autorët e 4 golave të vetëm të kësaj jave, teksa rreshtimi taktik i këtij formacioni është 4-4-2. Edhe një herë në portë konfirmohet serbi i Apolonisë Vilson Cakovic, që me pritjet e tij ruajti të paprekur portën për ti dhënë një pikë të çmuar fierakëve ndaj kampionëve të Skënderbeut. Pikërisht nga skuadra e Mirel Josës vjen mbrojtësi i djathtë, me Kristi Vangjelin që është treguar i palodhshëm dhe gjithnjë në ndihmë të skuadrës. Nëse 29-vjeçari do të kishte instikte prej sulmuesi atëherë rezultati do të kish qënë tjetër, pasi në disa raste Vangjeli është paraqitur përballë Cakovic, edhe pse luan mbrojtës i djathtë. Në krahun e majtë të mbrojtjes në formacionin e javës vendoset Ganjol Kaculi, që realizoi një gol spektakolar por mbi të gjitha dha një ndihmesë të madhe edhe në mbrojtje. Ndërkohë qendra e repartit difensiv është për dyshen Sykaj-Curri. 

Shkodrani ishte nga më të mirët për kuqeblutë në barazimin pa gola të regjistruar në Vlorë ndaj Flamurtarit, ndërsa kosovari ishte heroi i bardhebluve, duke shënuar golin e fitores për formacionin e Maganit. Në mesfushën me katër janë 4 skuadra që përfaqësohen. Në të djathtë është Kushtrim Lushtaku i Kukësit, që për pjesën më të madhe të takimit ndaj Partizanit ka qenë rreziku kryesor për mbrojtjen e kuqe. Në krahun e majtë gjendet shkodrani i Apolonisë Abaz Karakaci, që me lojën e tij krijoi jo pak probleme Skënderbeut në krahun e majtë. Në qendër është kapiteni i kampionëve Bledi Shkëmbi që luftoi deri në sekondën e fundit për ti dhënë ekipit suksesin e tretë sezonal. Në dy goditje nga distanca 35 vjecari është ndalur edhe nga superpritjet e kryera nga Cakovic. Përkrah tij gjendet mesfushori i Partizanit Lorenc Trashi, që edhe pse mori një goditje në kokë që nga minutat e para dhuroi një paraqitje të jashtëzakonshme në transfertën kuksiane. Nga kryeqyteti vjen dhe reparti i avancuar me Stevan Racic dhe Tomislav Busic që formojnë dyshen e sulmit. Të dy futbollistët jo vetëm gjetën golin por ishin edhe më të rrezikshmit për kundërshtarët. Ndërkohë trajner i formacionit më të mirë të javës është Shpëtim Duro i Partizanit, që me lëvizjet e tij diti të dalë me pikët e plota nga transferta në Zeqir Ymeri. Merita e golit ndaj Kukësit shkon për trajnerin e të kuqve, pasi ishte ai i cili kërkoi nga stoli që goditjen e dënimit ta ekzekutonte serbi Racic, një ekzekutim që i dha golin e fitores Partizanit.

Cakovic

(Apolonia)

 Vangjeli                 Sykaj                 Curri                Kaculi

(Skenderbeu)        (Vllaznia)           (Tirana)             (Elbasani)

 Lushtaku                   Shkëmbi         Trashi           Karakaci

(Kukësi)           (Skënderbeu)           (Partizani)      (Apolonia)

 Racic               Busic

(Partizani)          (Tirana)

Tr: Shpëtim Duro (Partizani)