11tetor 2015 – Shqipëria zhvilloi seancën e fundit stërvitore për Eliminatoret e Euro 2016, e bashkuar për një qëllim, një vend në Europianin francez. Gianni De Biasi thirri lojtarët rreth tij përpara seancës stërvitore duke mbledhur bashkë të gjithë skuadrën për një fjalim të fundit. Duke qenë se ekipi luajti vetëm të enjten, seance e fundit nuk kishte një ngarkesë të madhe fizike dhe kryesisht trajneri Italian e përqëndroi stërvitjen te kontakti me topin, meqënëse qarkullimi i tij dhe gjetja e golit do të jetë objektivi i vetëm i kuqezinjve, pasi fitorja është i vetmi rezultat që ka rëndësi në Armeni. Futbollistët, që përpara nisjes për në Yerevan morën dhe mbështetjen e tifozëve kuqezi duket se e kishin hedhur pas krahëve humbjen me Serbinë dhe u shfaqën të qetë dhe të qeshur.

Bashkë me kombëtaren në këtë transfertë ka udhëtuar dhe presidenti Duka që gjithashtu ndoqi nga afër seancën stërvitore, ndërsa në impiantin ku do të luhet ndeshja qëndronte krenar dhe flamuri kombëtar. E konfirmuar është mungesa e Andi Lilës për ndeshjen e fundit dhe ajo e Agollit, ndërsa sa i përket formacionit, De Biasi këtë herë do të hedhë në fushë një skuadër me sulmuese, me Cikalleshin e Gashin që pritet të luajnë në vijën e parë. Trajneri ka biseduar vecmas dhe me dy futbollistët duke paraprirë përfshirjen e tyre në formacion. Në portë ndërkohë nuk ka ndryshime me Berishën që qëndron mes dy shtyllave, në mbrojtje do të aktivizohen Hysaj, në të djathtë, Cana e Ajeti në qendër, e Lenjani mund të kthehet në mbrojtje në të majtë. Mesfusha ndërkohë do të përbëhet nga Basha, Abrashi në qendër, Xhaka në të majtë. Në krahun e djathtë duhet të luajë Memushaj, por ky i fundit ka patur probleme fizike dhe nuk përjashtohet një aktivizim i Roshit, për rreshtimin 4-5-1.

/portali DurresLajm/