Sylvinho dhe skuadra e tij kanë takim me historinë të hënën në mbrëmje (21:00), ku do të matin forcat me Spanjën.

Kuqezinjtë do të luajnë shanset e kualifikimit përballë skuadrës së Luis De la Fuentes, në një duel tepër të vështirë e të ndërlikuar.

Tekniku brazilian i Shqipërisë është kujdesur që të mos japë shumë të dhëna për formacionin që do të hedhë në fushë në stadiumin e Dusseldorfit. Teksa pritet që mes titullarëve të Shqipërisë të ketë disa ndryshime krahasuar me sfidën e fundit kundër Kroacisë.

Në kokën e timonierit të kuqezinjve janë tri dilema, që do e mundojnë deri ditën e ndeshjes. SuperSport ka mundur të mësojë dhe formacionin e mundshëm për këtë sfidë vendimtare.

Në portë, Thomas Strakosha duket i padiskutueshëm. Ndaj Kroacisë ishte protagonist me 9 pritje dhe sërish do të vihet mes shtyllave. Ivan Balliu është në balotazh me Elseid Hysajn për linjën e djathtë të mbrojtjes.

Balliu aktivizohet në La Liga dhe i njeh mirë shumicën e kundërshtarëve, ndaj duket më i avantazhuar për ta nisur titullar. Në qendër të mbrojtjes, përkrah kapitenit Berat Gjimshiti me shumë gjasa do të vendoset Ardian Ismajli.

Mbrojtësi i Empolit shihet si më i përshtatshëm për ta nisur nga fillimi këtë takim. Në të majtë Mario Mitaj e ka vendin e sigurt. Sylvinho pritet të rreshtojë skuadrën me skemën 4-1-4-1.

Para mbrojtjes Ylber Ramadani në rolin e “shkatërruesit”. Ndryshime në mesfushë. Tekniku brazilian preferon të shtojë muskujt krahasuar me ndeshjen fundit, teksa mund t’i dhurojë një fanellë titullari Amir Abrashit përkrah Kristjan Asllanit.

Me Qazim Laçin e Nedim Bajramin nga krahët. Por, Asani gjithashtu ka kuota për ta nisur nga minuta e parë. E nëse sulmuesi nga Shkupi konfirmohet mes titullarëve, atëherë Laçi mund të marrë vendin e Abrashit. Me Asanin që do të vendosej djathtas.