16 janar 2015 – Gara e Çmimit të Madh të Gjermanisë për vitin 2015 do të zhvillohet në Hockenheim dhe jo në Nurburgring. Këtë e bën të ditur pronari i Formula 1, Bernie Ecclestone, i cili bën me dije se nuk ka arritur të gjejë gjuhën e përbashkët me drejtuesit e kësaj Nurburgring që gjatë viteve të fundit është alternuar me Hockenheim.
"Jemi në kulmin e bisedimeve me zyrtarët e Hockenheim, por e përjashtoj mundësinë që të garojnë në pistën tjetër të Gjermanisë sepse nuk e arritëm marrëveshjen.Aktualisht kemi një kontratë me Hockenheim dhe duhet thjesht që të modifikojmë vitet e saj. Alternimi mes dy pistave nuk do të na limitojë drejt një vendimi përfundimtar për të lënë në lojë vetëm Hockenheim", thekson Ecclestone.
Nëse çdo gjë shkon sipas parashikimeve, gara për Çmimin e Madh të Gjermanisë do të zhvillohet në 19 Korrik të këtij viti. Sezoni i ri i Formula 1 starton në 15 Mars nga Melbourne në Australia dhe përfundon në 29 Nëntor në Abu Dhabi. Nga 20 ndalesa në total vetëm 8 prej tyre janë në Kontinentin e Vjetër. Dalëngadalë, ky sport po spostohet në pjesë të tjera të planetit për shkak të marrëveshjeve dypalëshe që po arrin Ecclestone me drejtuesit e pistave në Azi dhe Amerikë.





