Luis Hamilton dhe Sharl Lëklerk janë skualifikuar nga Çmimi i Madh i Teksasit, pasi makinat e tyre dështuan që të kalonin një inspektim pas garës. Të dyja makinat iu nënshtruan kontrolleve të rastësishme pas flamurit me kuadrate dhe u konstatua se kishin shkelur rregullat në lidhje me trashësinë e pjesëve të poshtme të makinës. Blloku i rrëshqitjes, ose siç njihet dërrasa, është pjesa e poshtme e makinës që bie në kontakt me pistën dhe shkakton shkëndija. Ekipi i Mercedesit të Hamiltonit u thirr te stjuardët e FIA-s për kontrollin e garës në orën 18:00 me orën lokale Austin, më shumë se dy orë pasi gara kishte përfunduar.

Të tre përfaqësuesit e ekipit dolën 15 minuta më vonë përpara se homologët e tyre të Ferrarit të thirreshin. Një orë më vonë, FIA konfirmoi lajmin se të dy pilotët ishin skualifikuar. Skualifikimi i Hamiltonit bëri që Lando Norris të ngjitej në vendin e dytë, ndërsa Karlos Sainz në të tretin, ndërsa në zonën e pikëve u ngjit për herë të parë Logan Sarzhent. Kështu renditja e përgjithshme e pikëve ndryshoi sërtish, me veteranin britanik që tashmë është 39 pikë larg vendit të dytë, Serxho Perez, ndërsa Lëklerk ra në vendin e shtatë duke u parakaluar nga Norris.