Provat e lira që ishin në plan për t’u zhvilluar sot në pistën e Shangait, të vlefshme për Çmimin e Madh të Kinës në Formula 1, janë anulluar. Shkak është bërë koha e keqe, shiu dhe mjegulla e dendur, që e kanë bërë të pamundur zhvillimin normal të testeve, që pas 20 minutash janë pezulluar. Nga 3 orë që kishin në dispozicion pilotët, në dy sesionet e provave të lira, në total u zhvilluan vetëm 20 minuta, ku kohën më të shpejtë e dha Max Verstappen me Red Bull (1’50”491).
Por thuajse të gjithë pilotët që zbritën në pistë patën probleme me lagështinë, pasi ishte e vështirë të testoje makinën. Madje Magnussen, Grosjean e Hulkenberg përfunduan jashtë piste, pasi nuk ishin në gjendje të kontrollonin njëvendëshet e tyre. Për fat të keq, këto parashikime të kushteve të vështira të motit pritet të jenë edhe në dy ditët në vazhdim. Gara e Çmimit të Madh të Kinës është prova e dytë sezonale e Formula 1, ndërkohë që nesër në mëngjes është parashikuar sesioni i tretë i provave të lira e më pas provat zyrtare.