Një tjetër revolucion në Formula 1. Duke nisur nga Botërori i ardhshëm, të gjitha makinat do të adaptojnë sistemin mbrojtës “halo”, një masë mbrojtëse që vendoset në pjesën e përparme të makinës dhe që mbron kokën e pilotit. Vendimi është marrë sot nga FIA (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit), pas mbledhjes së bordit drejtues të zhvilluar në Zvicër. FIA ka hedhur poshtë të gjitha sistemet e tjera mbrojtëse, të konsideruara të papërshtatshme për garat e Formula 1, siç ishte ai i xhamit mbrojtës testuar fundjavën e kaluar në Silverstone. FIA bëri me dije se vendimi ishte unanim dhe erdhi pas bisedimeve me skuadrat e pilotët.
Që në vitin 2016 u vendos që makinat të adaptojnë një sistem të ri mbrojtës dhe nuk munguan variantet që do të testoheshin gjatë këtij viti. Dhe këtë garë e fitoi sistemi “halo”, një lloj harku para kokës së pilotit. Edhe ky sistem kishte mangësi dhe mori kritika, por ishte më i miri nga ato që u propozuan në vitet e fundit. Të gjitha skuadrat e kanë provuar këtë sistem, që nga viti 2018 do të jetë i detyrueshëm në pjesën e përparme të çdo makine në pistë.