Nga ndryshimet që pritet të miratohet në Kodin Zgjedhor janë edhe sistemi i paraqitjes së listave apo shpërndarja e kandidatëve. Pikërisht për këto, foli me detaje socialisti Damian Gjiknuri në Kuvend.

Ai theksoi se nuk pati dakordësi mes palëve për ndryshimin e herësit në jo më shumë se 7 mijë vota. Rrjedhimisht dolën me një ‘alternativë’ të re, atë të sistemit miks.

“Kjo ndërhyrje u diktua nga shfuqizmi që i bëri Gjykata Kushtetuese herësit, ose pragut elektoral. Duke kërkuar rishikim të formulës, për masën numerike, në një masë më proporcionale. Në pamundësi të gjetjes së një kompromisi për herësin e ri, jo më shumë se 7 mijë vota, që në rang mesatar shkon në 6 mijë e ca vota, ne eksploruam një formulë tjetër duke u frymëzuar nga parimi kushtetues i shtrirjes së votës parapëlqyese. Ai i sistemit miks, të paraqitjes së listës së kandidimit. Jo më pak se 2/3-ta i nënshtrohet votimit preferencial. Natyrshëm kjo ka ngjallur debat politik, sepse prek interesat politike.”

Sipas tij, kjo formulë garanton më shumë mandate në ‘lojë’.

“Po ta aplikojmë këtë formulë, lista e fiksuar është jo më shumë se 25%. Përshembull Tirana ka 36 mandate, subjekti politik ka 12 kandidatë në listë të fiksuar dhe 36 në listë të hapur, 46 kandidatë në total. Formula është në përputhje me kushtetutën pasi lejon votimin parapëlqyes në më shumë se 2/3 e kandidatëve.

E dyta a siguron garanci të kuotave gjinore? Projekti parashikon që një në çdo 3 emra do i përkasë secilës gjini, më ndërhyrjen e zonjave nga dy krahët politikë do përfshijmë amendamentin që e garanton këtë. Nëse në Tiranë një parti fiton 3 mandate më shumë se lista e fiksuar, e zëmë se ka fitues nga e njëjta gjini, mandati i tretë i jepet gjinisë më pak të përfaqësuar. Diskriminim pozitiv!

Pretendimi tjetër, a e bën garën të mbyllur? Në vitin 2021 me formulën që kishim, vetëm 3 kandidatë thyen herësin nga 140. Tani janë të paktën 40 mandate në lojë, mbi 29% të mandateve. Po nëse listat janë 100% të hapura? Vetëm 34 mandate duke mos llogaritur garancitë gjinore që po të përfshihen, bëhen vetëm 22 mandate. E thënë thjesht, nga 140 deputetë, 22 mandate në lojë. Miti rrëzohet nga krahasimi i shifrave.”

Fjalën e tij e përfundoi duke thënë se gjatë zgjedhjeve, ligji duhet të zbatohet uniform nga çdo parti.

“Marrëveshjen që dikur bënin kandidatët se kush merrte më shumë vota, merrte mandatin pavarësisht renditjes në listën proporcionale, ODIHR-i e konsideroi shkelje dhe e ndaloi si praktikë. Është një variant surrogato i listave të hapura.”