Tiranë, 12 nëntor 2013 – Ministria e Arsimit ka shpallur sot listën e fituesve të universiteteve për raundin e dytë të pranimeve. Nga e mërkura deri të shtunën, rreth 5000 kandidatët fitues në këtë raund duhet të paraqiten pranë sekretarive mësimore të fakulteteve për të kryer regjistrimin.

Sipas afateve të vendosura nga Ministria, ky proces do të kryhet nga ora 8:00 e datës 13 nëntor deri në orën 18:00 të datës 16 nëntor. Për regjistrim, kandidatët fitues duhet të paraqesin dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një prej dokumenteve; 2 fotografi; mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1600 lekësh, paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare ose bankave të nivelit të dytë për llogari të universiteteve përkatëse, nga të gjithë kandidatët e shpallur fitues në këtë raund. Kandidatët e shpallur fitues në programet e studimit me kohë të plotë nuk mund të regjistrohen për të ndjekur njëkohësisht studimet edhe në sistemin me kohë të pjesshme.