Revista e parë shkencore në nivel kombëtar është themeluar në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, duke shënuar një hap të rëndësishëm për zhvillimin akademik dhe kërkimin shkencor në vend. Kjo revistë tashmë është përfshirë në platformën ndërkombëtare Scopus, një nga bazat më prestigjioze të të dhënave për publikimet shkencore.

Sipas rektorit të universitetit, Shkëlqim Fortuzi, ky është një sukses i madh jo vetëm për institucionin, por për gjithë komunitetin akademik shqiptar. Ai theksoi se studentët e UAMD tashmë kanë mundësinë të publikojnë punimet dhe kërkimet e tyre shkencore pa asnjë kosto financiare.

“Deri më tani, studentëve u duhej të paguanin nga 1500 deri në 2000 euro për të publikuar artikuj në revista ndërkombëtare. Tashmë, kjo mundësi ofrohet falas brenda universitetit tonë”, u shpreh Fortuzi.

Krijimi i kësaj reviste synon të nxisë kërkimin shkencor, të rrisë cilësinë e studimeve dhe të krijojë më shumë hapësira për studentët dhe pedagogët shqiptarë që të kontribuojnë në botën akademike ndërkombëtare.