Banorët e lagjes nr. 4 në Durrës (pas qendrës tregtare “Bluestar”), kanë mëse 9 muaj që janë kthyer në gërmadhë dhe kosh mbeturinash, pasi janë duke iu shkatërruar trotuaret, rrugicat, parkingjet.

Ky denoncim bëhet nga ana e Shkëlqim Fortuzit, anëtarit demokrat të Këshillit Bashkiak të Durrësit. Sipas Fortuzit, gjithçka bëhet vetëm për qëllime abuzive dhe përfitime personale mafioze, duke bërë me faj kryebashkiakun Dako.

“Shkatërrime, hapje-mbyllje kanalesh (pa asnjë lloj tabele transparence, për firmën zbatuese, afatet e punimeve, vlerën e punimeve etj)”, shkruan demokrati në faqen e tij të “Facebook”-ut.

Si këshilltar bashkiak dhe si qytetar durrsak, Fortuzi i bën thirrje kryebashkiakut Vangjush Dako, që: “të rikthejë urgjentisht stabilitetin duke mbyllur sa më parë punimet në këtë lagje dhe të mos luajë me zjarrin, sepse Durrësi nuk është çifligu i tij dhe gabon rëndë nëse durrsakët i quan dele…”

Gjithashtu, këshilltari i PD-së për Ekonominë, i bën thirrje edhe organeve ligj zbatuese, që të bëjnë transparencën e punimeve dhe fondeve në këtë lagje.