Ngjarja e ndodhur disa ditë më parë në maternitetin e qytetit të Durrësit, ku një foshnjë humbi jetën pak orë pas lindjes, vijon të jetë nën hetim, ndërsa kanë dalë detaje të tjera mbi rastin.

Më 19 shkurt, rreth orës 02:00 të natës, në maternitet është paraqitur një shtetase shtatzënë me kontraktime lindjeje në javën e 39-të të shtatzënisë. Në shërbim roje ka qenë mjeku obstetër-gjinekolog I. Sh., i cili nuk ishte mjeku që kishte ndjekur më herët shtatzëninë e pacientes.

Sipas informacionit, mjeku ka kryer pyetjet protokollare dhe ka kërkuar kartelën shëndetësore me analizat përkatëse të shtatzënisë, të cilat nuk janë dorëzuar nga familjarët. Pavarësisht kësaj, duke qenë se procesi i lindjes kishte nisur, pacientja është shtruar sipas procedurave mjekësore.

Gjatë komunikimit paraprak nuk është raportuar ndonjë problem apo shqetësim i mëparshëm nga pacientja lidhur me ecurinë e shtatzënisë. Lindja është realizuar në mënyrë natyrale dhe gjatë monitorimit nuk është konstatuar situatë që të kërkonte ndërhyrje cezariane.

Pas lindjes, foshnja është marrë në kujdes nga mjekët neonatologë. Mjeku obstetër-gjinekolog ka takuar prindërit duke i uruar dhe më pas ka vijuar shërbimin me paciente të tjera.

Rreth katër orë më vonë, foshnja ka shfaqur probleme kardiake dhe ka ndërruar jetë. Prindërit kanë akuzuar stafin mjekësor për pakujdesi, duke pretenduar se një injeksion i bërë ndaj foshnjës mund të ketë ndikuar në vdekjen e saj.

Mjekët kanë sugjeruar kryerjen e autopsisë për përcaktimin e shkakut të vdekjes, por familjarët nuk kanë pranuar. Një javë pas ngjarjes është bërë kallëzim në polici.

Stafi mjekësor është marrë në pyetje dhe, në mungesë të autopsisë apo provave për shkelje ligjore, deri tani nuk ka akuza konkrete ndaj tyre. Çështja i është referuar Prokurorisë pas pretendimeve të familjarëve për mungesë kujdesi mjekësor.

Autoritetet kanë administruar dokumentacionin e maternitetit dhe kanë vijuar marrjen në pyetje të personelit, ndërsa hetimet vazhdojnë. Prokuroria ka kërkuar gjithashtu kryerjen e autopsisë, edhe pse trupi i foshnjës është varrosur dhe familjarët ende nuk kanë dhënë pëlqimin.

Organi i akuzës ndodhet aktualisht në fazën e shqyrtimit të dokumenteve për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Në një reagim jozyrtar për mediat, materniteti është shprehur se është ngritur një komision për oponencën klinike të kartelës mjekësore sipas protokolleve përkatëse.

Përshëndetje!
Për momentin nuk kemi detaje, pasi është ngritur komision për të bërë oponencën e kartelës mjekësore nga ana klinike sipas protokolleve mjekësore.”, thuhet në reagim.