Tri lokale janë mbyllur ditën e sotme në zonën e Jalës nga AKU, për shkak se kryenin veprimtari në kundërshtim me standardet e sigurisë ushqimore si dhe në kushte të rënda higjeno-sanitare. 

Konkretisht, gjatë aksionit që AKU po ushtron në zonat bregdetare, trupa inspektuese DRAKU, Vlorë ka evidentuar 3 subjekte, dy me aktivitet “Restorant” dhe një “Fast Food”: restorant “Lavdoshi, restorant “Kapiteni” dhe fast food “Spiro Kreku” ndaj të cilave janë marrë masë administrative gjobë 300.000 lekë për secilin si dhe bllokim i menjëhershëm i aktivitetit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në këtë periudhë të temperaturave të larta e shtimit të volumit të tregtisë në kuadër të sezonit turistik, është në çdo kohë në aksion për identifikimin, kontrollin, evidentimin, dënimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundraligjshme e të rrezikshme nga subjektet që neglizhojnë apo shkelin rregullat e Sigurisë ushqimore.

AKU inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.