Jeta personale e shefit të njohur të kuzhinës, Alfio Rrotani, duket se po merr të njëjtin shkëlqim si karriera e tij.
Prej kohësh ai është në një lidhje me Joana Gjonajn, inxhiniere ndërtimi, e cila ka preferuar të qëndrojë larg zhurmës mediatike, por shumë pranë botës së tij.
Tani çifti po bëhen prindër për herë të parë. Në një intervistë Alfio dhe Joana kanë ndarë detaje nga historia e tyre e dashurisë dhe emocionet e pritjes së ëmbël.
Sipas tyre, gjithçka nuk nisi si romancë, por si një bashkëpunim pune, i krijuar përmes miqve të përbashkët. Takimet profesionale u shndërruan në biseda të gjata, humor, dhe një lloj mirëkuptimi që nuk imponohet, por vjen vetë.
Ata theksuan se baza e raportit të tyre janë vlerat e përbashkëta, respekti dhe parimet familjare, gjëra që, sipas tyre, i kanë bërë të ndihen të sigurt me njëri-tjetrin dhe të mendojnë seriozisht për të ardhmen. Joana ndodhet në javët e fundit të shtatzënisë dhe çifti pret një vajzë.
Lajmi, siç rrëfyen ata, ka qenë i dëshiruar dhe i menduar nga të dy. Momentin kur mësuan për shtatzëninë e përshkruajnë si një shpërthim emocionesh: lot gëzimi, qetësi dhe një ndjesi e rrallë se gjithçka po merr kuptim. E veçanta është se prindërit e ardhshëm kanë vendosur që vogëlushja të mbajë dy emra.
Njëri prej tyre do të jetë Maria, si një homazh prekës për gjyshen e ndjerë të Alfios, një figurë që, sipas tij, ka lënë gjurmë të thella në jetën e tij. Emri i parë, ndërkohë, do të mbahet surprizë dhe do të zbulohet vetëm pas lindjes.









