Është asfaltuar një nga akset më të amortizuara dhe problematike, “Katër Rrugët” – Rrashbull, një rrugë që prej dekadash ishte lënë pas dore dhe për të cilën qytetarët kanë protestuar herë pas here.

Teksa poston në Facebook disa foto të rrugës si ishte dhe si është bërë, kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana shkruan:

“Çdokush që kalon në aksin rrugor “Katër rrugët”- Rrashbull vë re lehtësinë e lëvizjes.

Vë re një rrugë të sistemuar dhe të asfaltuar. Një realitet i prekshëm pas disa dekadave, ku askush nuk kishte vënë dorë te kjo rrugë.

Me çdo investim që po kryhet banorët e Shijakut dhe Njësive Administrative do të kenë një cilësi jetese më të mirë, sepse qyteti jonë po ndryshon nga dita në ditë.

Falenderoj Kryeministrin, Qeverinë shqiptare dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit për këtë bashkëpunim të frytshëm.

Ku ka vullnet, ka zgjidhje!”

Amortizimi i aksit nacional vetëm 5 kilometra i gjatë që lidh qytetin bregdetar të Durrësit me Shijakun ishte kthyer në makthin e banorëve të zonës dhe drejtuesve të automjeteve prej vitesh.

Rehabilitimi me asfaltim dhe sinjalistikë të re për këtë rrugë filloi në fund të muajit qershor të këtij viti, një investim ky mes Qeverisë Shqiptare dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit.